Asambleja e Përgjithshme e OKB-së voton sot për një shtet palestinez pa Hamasin - NACIONALE

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së voton sot për një shtet palestinez pa Hamasin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të votojë sot për ta mbështetur ose jo “Deklaratën e Nju-Jorkut”, rezolutë me të cilën synohet t’i jepet shtytje e re zgjidhjes me dy shtete mes Izraelit dhe palestinezëve, pa përfshirjen e Hamasit.

Qeveria e Izraelit e kundërshton fuqishëm themelimin e një shteti palestinez, si dhe hapat për të njohur një të tillë në OKB. Izraeli i ka kritikuar organet e Kombeve të Bashkuara për gati dy vjet për shkak të fokusit të tyre që e cilëson si joproporcional në kritikimin e shtetit, si dhe dështimin e tyre për ta dënuar sulmin e drejtuar nga Hamasi më 2023, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Deklarata e paraqitur nga Franca dhe Arabia Saudite nuk lë hapësirë për dykuptimësi sa i përket dënimit të sulmit të udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit.

E quajtur zyrtarisht “Deklarata e Nju-Jorkut për Zgjidhjen Paqësore të Çështjes së Palestinës dhe Zbatimin e Zgjidhjes me Dy Shtete”, në tekst thuhet se “Hamasi duhet t’i lirojë të gjitha pengjet” dhe se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së i dënon “sulmet e kryera nga Hamasi kundër civilëve më 7 tetor [2023]”.

Rezoluta gjithashtu bën thirrje për “veprim kolektiv për t’i dhënë fund luftës në Gaza, për të arritur një zgjidhje të drejtë, paqësore dhe të qëndrueshme të konfliktit duke u bazuar në zbatimin efikas të zgjidhjes me dy shtete”.

Deklarata, e cila tashmë është mbështetur nga Liga Arabe dhe është nënshkruar në korrik nga 17 shtete anëtare, përfshirë disa shtete arabe, shkon përtej dënimit të Hamasit, duke kërkuar që Hamasi të hiqet tërësisht nga udhëheqja e Gazës.

“Në kontekstin e përfundimit të luftës në Gaza, Hamasi duhet t’i japë fund pushtetit të tij në Gaza dhe t’ia dorëzojë armët Autoritetit Palestinez, me angazhimin dhe përkrahjen ndërkombëtare, në vijë me objektivat e një Shteti Palestinez sovran dhe të pavarur”, thuhet në deklaratë./Nacionale

Lajme të ngjashme