Arrijnë para kohës në Gjermani tanket amerikane “Abrams” për trajnimin e ukrainasve
Tanket amerikane të tipit “Abrams” kanë arritur pak para kohës së planifikuar në Gjermani dhe janë duke u dërguar në bazën ushtarake në Grafenwoehr, ku pas dy ose tri javëve do të fillojë trajnimi i disa ushtarëve ukrainas për përdorimin e mjeteve të rënda, thanë te enjten zyrtarët amerikanë.
Sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Lloyd Austin, tha para një nënkomisioni të Senatit se Shtetet e Bashkuara kanë lëvizur “një numër të tankeve në teatër” në mënurë që ukrainasit ta fillojnë trajnimin për to. Sipas tij, kur të përfundojë trajnimi, që pritet të zgjasë rreth dhjetë javë, prodhimi i tankeve për forcat ukrainase do të jetë i gatshëm, raporton agjencia “Associated Press”.
Një zyrtar amerikan tha se tanket që nevojiten për trajnim arritën në portin e qytetit Bremerhaven fundjavën e kaluar dhe do të dërgohen në bazën ushtarake këtë javë. Dërgimi i tyre në Grafenwoehr po bëhet disa javë para kohës së planifikuar, kur udhëheqësit ushtarakë evropianë dhe të vendeve të tjera u takuan muajin e kaluar në Gjermani për t’i diskutuar nevojat e Ukrainës për luftën e saj kundër Rusisë.
Tanket që ShBA-ja do t’ia dhurojë Ukrainës janë duke u prodhuar sipas specifikave të ushtrisë së saj dhe do të arrijnë në Ukrainë në fillim të vjeshtës, kur trupat ta kenë përfunduar trajnimin. Zyrtari amerikan foli në kushte anonimiteti për të ofruar hollësi të dërgesës që nuk janë lëshuar publikisht.
Gjatë muajve të fundit, ShBA-ja ka trajnuar më shumë se 8 mijë e 800 ukrainas, përfshirë trajnimet për përdorimin e automjeteve luftarake “Stryker” dhe “Bradley” si dhe obusët “M109 Paladin” së bashku në fushën e betejës.
Gjatë seancës së të enjtes, senatorja Susan Collins i bëri thirrje sekretarit Austin që të veprohet shpejt në mënyrë që tanket të arrijnë në duart e ukrainasve dhe në fushën e betejës.
“Ne po bëjmë gjithçka që është e mundshme për ta përshpejtuar dërgimin e këtyre tankeve dhe vjeshta e hershme është një projektim”- tha Austin-i.
