Arrestohet në ShBA gazetari britanik i njohur për kritikat ndaj Izraelit - NACIONALE

Arrestohet në ShBA gazetari britanik i njohur për kritikat ndaj Izraelit

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Gazetari britanik dhe komentuesi medial, Sami Hamdi, kritikues i zëshëm i Izraelit, është arrestuar në Shtetet e Bashkuara nga agjencia amerikane për migrim dhe dogana (ICE).

Përderisa ishte në një fushatë fjalimesh në ShBA gjatë fundjavës, Hamdi u ndalua nga oficerët e ICE-së dhe viza e tij u anulua, tha në rrjetin X zëdhënësja e Departamentit të Sigurisë së Atdheut, Tricia McLaughlin.

Ajo shtoi se gazetari është duke u mbajtur në ndalim nga ICE-ja në pritje të largimit të tij nga vendi, raporton televizioni BBC.

Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Sigurisë së Atdheut pretendojnë se Hamdi e mbështet terrorizmin dhe paraqet rrezik ndaj sigurisë kombëtare, përderisa një grup për mbrojtjen e të drejtave të myslimanëve argumenton se ai po vihet në shënjestër politikisht, në kundërshtim me të drejtat e tij për fjalë të lirë.

“E kemi thënë më herët, do ta themi përsëri: Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë detyrim që të presin të huaj që e mbështesin terrorizmin dhe që në mënyrë aktive e minojnë sigurinë e amerikanëve” – tha në rrjetin X Departamenti i Shtetit në lidhje me ndalimin e Hamdi-t.

Departamenti i Shtetit tha më tej se do të vazhdojë që t’ua anulojë vizat personave të përfshirë në aktivitete të tilla.

Departamenti i Sigurisë së Atdheut, Departamenti i Shtetit dhe ICE-ja nuk iu përgjigjën kërkesës së televizionit BBC për dëshmi rreth akuzave se Hamdi e mbështet terrorizmin.

Lajme të ngjashme