Arrestohet ish-ambasadori britanik në ShBA, Peter Mandelson - NACIONALE

Arrestohet ish-ambasadori britanik në ShBA, Peter Mandelson

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Ish-ambasadori i Britanisë së Madhe në Shtetet e Bashkuara, Peter Mandelson, u arrestua të hënën nën dyshimin për shkelje në post publik, sipas “PA Media”.

Mandelsoni, politikan veteran i Partisë Laburiste, është akuzuar se i ka dërguar të dhëna të dënuarit tashmë të ndjerë për krime seksuale, Jeffrey Epstein, kur ai ishte sekretar i Biznesit.

Dy prej pronave të tij janë bastisur nga policia, raporton televizioni CNN.

Një zëdhënës i Policisë Metropolitane tha: “Oficerët kanë arrestuar një burrë 72-vjeçar nën dyshimin për shkelje në post publik. Ai u arrestua në një adresë në Camden të hënën, më 23 shkurt, dhe është dërguar në një stacion policor në Londër për intervistim.”

Zbulimet nga grumbulli më i ri i dosjeve çuan në dorëheqjen e Mandelsonit nga Partia Laburiste më herët këtë muaj, pasi ishte tërhequr nga Dhoma e Lordëve, që është dhoma e lartë e Kuvendit të Britanisë, po të njëjtën javë.

Ish-politikani ishte shkarkuar nga posti i ambasadorit në Uashington në shtator nga kryeministri Keir Starmer pas një publikimi tjetër të dosjeve të Epsteinit, ku tregohej se ai e kishte quajtur financierin “miku im më i mirë” në një letër me shkrim dore me rastin e ditëlindjes së tij të 50-të.

Shpërthimi i skandalit të Mandelsonit ia kishte rrezikuar pozitën edhe vetë kryeministrit Starmer, pasi kishin dhënë dorëheqje edhe këshilltarë kyçë dhe ishin shtuar thirrjet nga figura të larta të Partisë Laburiste që Starmeri të jepte dorëheqje.

Kryeministri u përball me pyetjen se sa shumë dinte për marrëdhënien e ngushtë të Mandelsonit me Epsteinin, kur e kishte emëruar në postin e ambasadorit./Nacionale

Lajme të ngjashme