Arourit i plotësohet “dëshira”: “Mendoj se kam jetuar tepër gjatë”, kishte thënë verës - NACIONALE

Arourit i plotësohet “dëshira”: “Mendoj se kam jetuar tepër gjatë”, kishte thënë verës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Izraeli e vrau të martën nënkryetarin e Hamasit, Saleh al-Arouri, përmes një sulmi me dron në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, thanë burimet libaneze e palestineze të sigurisë, duke e shtuar rrezikun e mundshëm për përhapjen e luftës së Gazës shumë përtej enklavës palestineze.

Arouri, 57 vjeç, është udhëheqësi i parë i lartë politik i Hamasit që vritet që nga nisja e ofensivës tokësore e ajrore të Izraelit kundër këtij grupi gati tre muaj pas sulmit të befasishëm të tij në vendbanimet jugore izraelite, raporton agjencia “Reuters”.

Grupi i armatosur rëndë, Hezbollahu, ka shkëmbyer zjarr pothuajse përditë me Izraelin në kufirin me Libanin që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor.

Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, e ka paralajmëruar Izraelin kundër kryerjes së vrasjeve në territorin libanez, duke u zotuar për “reagim të ashpër”.

Hezbollahu tha të martën se kishte vënë në shënjestër me raketa një grup të ushtarëve izraelitë në afërsi të Marj-it, pas vrasjes së nënkryetarit të Hamasit.

Izraeli për një kohë të gjatë e kishte akuzuar Arourin për sulme ndaj shtetasve izraelitë, por një zyrtar i Hamasit tha se ai ishte edhe “në zemër të bisedimeve” të zhvilluara nga Katari e Egjipti për rezultatin e luftës në Gaza dhe lirimin e pengjeve izraelite që po mbahen nga Hamasi.

Autoritetet izraelite as nuk e kanë konfirmuar, as nuk e kanë mohuar vrasjen e figurës së lartë të Hamasit, por zëdhënësi ushtarak, Daniel Hagari, tha se forcat e vendit të tij ishin në gjendje të lartë gatishmërie dhe të përgatitura për çfarëdo skenari.

“Gjëja më e rëndësishme për t’u thënë sonte është që ne jemi të përqendruar dhe mbetemi të përqendruar në luftimin e Hamasit”- tha ai, kur u pyet nga një gazetar rreth raportimeve për vrasjen e Arourit.

“Në pritje të martirizimit”

Izraeli e kishte akuzuar me vite Arourin, bashkëthemelues i krahut ushtarak të Hamasit, Brigadat Izz-el-Deen al-Qassam, për dhënien e urdhrave dhe mbikëqyrjen e sulmeve të Hamasit në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.

“Unë jam duke e pritur martirizimin [vdekjen] dhe mendoj se kam jetuar shumë gjatë”- kishte thënë Arouri në gusht të vitit të kaluar, duke aluduar te kërcënimet e Izraelit për t’i eliminuar udhëheqësit e Hamasit, qofshin ata në Gaza apo jashtë saj.

Nasser Kanaani, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit, përkrahës i rëndësishëm i Hamasit dhe Hezbollahut, tha se vrasja e Arourit “pa dyshim se do të nxisë një rritje tjetër në venat e rezistencës dhe motivimit për të luftuar kundër pushtuesve zionistë, jo vetëm në Palestinë, por edhe në rajon e në mesin e të gjithë kërkuesve të lirisë në mbarë botën”.

Qindra palestinezë dolën rrugëve të Ramallahut e në qyteza të tjera të Bregut Perëndimor për ta dënuar vrasjen e Arourit, duke brohoritur “Hakmarrje, hakmarrje, Qassam!”

Më në jug, rebelët Houthi, që gjithashtu përkrahen nga Irani, janë zotuar se do t’i vazhdojnë sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq derisa Izraeli ta ndalë konfliktin në Gaza dhe kanë paralajmëruar se do t’i sulmojnë edhe luftanijet e ShBA-së, nëse ky grup vihet në shënjestër.

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar për themelimin e një task-force detare ndërkombëtare për ta mbrojtur lundrimin e anijeve nëpër Detin e Kuq, i cili çon te Kanali i Suezit, rrugë detare nëpër të cilën kalon rreth një e treta e dërgesave globale.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme