Armëpushimi në Gaza duket afër, udhëheqësit e vënë fokusin te “orët e ardhshme” - NACIONALE

Armëpushimi në Gaza duket afër, udhëheqësit e vënë fokusin te “orët e ardhshme”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Negociatorët po mundoheshin t’i zgjidhnin hollësitë përfundimtare të një armëpushimi në Gaza të mërkurën pas bisedave maratonike në Katar, ndërsa udhëheqës amerikanë e egjiptianë premtuan që të qëndronin në kontakt të ngushtë për një pakt në orët e ardhshme.

Më shumë se tetë orë bisedime në Doha të Katarit e kishin shtuar optimizmin. Zyrtarë nga vendet ndërmjetësuese – Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara – si dhe nga Izraeli e Hamasi thanë se një marrëveshje për armëpushim në enklavën e rrethuar dhe për lirimin e pengjeve ishte më afër se kurrë më parë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Megjithatë, një zyrtar i lartë i Hamasit i tha agjencisë “Reuters” të martën vonë se grupi palestinez nuk e kishte dhënë ende përgjigjen e vet, sepse ishte duke pritur që Izraeli t’i dorëzonte hartat që tregojnë se si forcat e tij do të tërhiqeshin nga Gaza.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al-Ansari, më herët në një konferencë për gazetarë tha se të dyja palëve u ishte dërguar një tekst dhe se po zhvilloheshin bisedime për hollësitë e fundit.

Presidenti amerikan në largim, Joe Biden, administrata e të cilit ka qenë duke marrë pjesë në ndërmjetësim krahas një emisari të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, tha se një marrëveshje ishte afër.

Bideni dhe homologu i tij egjiptian, Abdel Fattah El-Sisi, biseduan të martën për progresin në bisedime.

“Të dy udhëheqësit u zotuan për të qëndruar në bashkërendim të ngushtë drejtpërdrejt dhe përmes ekipeve të tyre në orët e ardhshme” – tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë pas bisedës telefonike mes dy presidentëve.

Hamasi tha se bisedimet kishin arritur në hapat përfundimtarë dhe se grupi shpreson që ky rund i bisedimeve do të çojë në një marrëveshje./Nacionale

Lajme të ngjashme