Arabia Saudite: Të paktën 1.301 persona vdiqën gjatë haxhillëkut - NACIONALE

Arabia Saudite: Të paktën 1.301 persona vdiqën gjatë haxhillëkut

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Së paku 1.301 njerëz vdiqën gjatë haxhillëkun, thonë autoritetet në Arabi Saudite, shumica pelegrinë të paautorizuar që kishin ecur në largësi të madhe në temperatura shumë të larta.

Haxhillëku i këtij viti u krye gjatë një vale vape dhe temperaturat shkuan në mbi 50 gradë, raporton televizioni BBC.

Më shumë se tri të katërtat e atyre që vdiqën, nuk kishin leje zyrtare për të qenë atje dhe kishin ecur nën dritën e drejtpërdrejtë të diellit pa strehë të duhur, raportoi agjencia zyrtare saudite e lajmeve, SPA.

Sipas kësaj agjencie, disa prej të vdekurve ishin të moshuar ose me sëmundje kronike.

Ministri i Shëndetësisë, Fahd Al-Jalajel, tha se ishin bërë përpjekje për ta ngritur vetëdijen rreth rrezikut nga stresi i vapës dhe se si pelegrinët mund t’i kundërviheshin kësaj gjendjeje.

Në objekte shëndetësore u trajtuan gati gjysmë milioni pelegrinë, përfshirë më shumë se 140 mijë që nuk kishin leje, shtoi ministri saudit, dhe disa prej tyre ishin ende në spitale për shkak të dërrmimit nga vapa.

“Allahu i faltë dhe pastë mëshirë ndaj të ndjerëve. Ngushëllimet tona nga zemra familjeve të tyre” – tha ministri Al-Jalajel.

Arabia Saudite është kritikuar që nuk ka bërë më shumë për ta bërë haxhillëkun më të sigurt, sidomos për pelegrinët e paregjistruar, të cilët nuk kanë qasje në disa objekte, si tendat me ajër të kondicionuar dhe transportin zyrtar në haxhillëk.

Temperatura në Mekë shkoi deri në 51.8 gradë, sipas qendrës kombëtare meteorologjike të Arabisë Saudite.

Shtete të ndryshme përreth botës kanë paraqitur të dhëna të përditësuara rreth numrit të shtetasve të tyre që kanë vdekur në haxhillëk, por Arabia Saudite nuk i kishte komentuar publikisht vdekjet e as nuk kishte ofruar shifër zyrtare deri të dielën.

Agjencia franceze e lajmeve, AFP, ka cituar një diplomat arab të ketë thënë se në mesin e të vdekurve ishin 658 egjiptianë. Indonezia ka thënë se mbi 200 shtetas të saj e kanë humbur jetën, ndërsa India ka raportuar për 98 të vdekur./Nacionale

Lajme të ngjashme