“Apple” e pëson rënien më të madhe të shitjeve në më shumë se një vit - NACIONALE

“Apple” e pëson rënien më të madhe të shitjeve në më shumë se një vit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shefi i kompanisë “Apple”, Tim Cook, u mundua që t’iu kundërvihej dyshimeve për të ardhmen e gjigantit të teknologjisë pas raportimit të rënies më të madhe të shitjeve për më shumë se një vit.

Shitjet ranë për 4 për qind në krahasim me një vit më parë për herë të parë në tremujorin e parë të vitit 2024, në 90,8 miliardë dollarë, të ndikuara nga zvogëlimi i ndjeshëm i kërkesës për telefonat “iPhone”, raporton televizioni BBC.

Shefat e kompanisë thanë se rezultatet janë shtrembëruar nga pengesat e furnizimit të ndërlidhura me pandeminë e koronavirusit, që kishte çuar në shitje jashtëzakonisht të fuqishme gjatë periudhës së njëjtë të vitit të kaluar.

Ata thanë se shitjet do t’i rikthehen rritjes në muajt e ardhshëm, duke i përmendur hedhjen e produkteve në treg dhe investimet në inteligjencë artificiale.

“Nuk mund të jem më i ngazëllyer për të ardhmen që e kemi para nesh” – tha Tim Cook.

Në nivel global, dërgesat e telefonave të mençur u rritën për 10 për qind në çerekun e parë të vitit, duke u përmirësuar pas një periudhe të gjatë pa shkëlqim, sipas kompanisë hulumtuese “Canalys”.

Sidoqoftë, në kompaninë “Apple”, shitja e telefonave “iPhone” në çerekun e parë të vitit ra për më shumë se 10 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar dhe shitjet ranë në secilin rajon, me përjashtim të Evropës.

“Apple” është duke u ballafaquar edhe me beteja ligjore me rregullatorë në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë rreth tarifave në aplikacionin “App store”.

Lajme të ngjashme