AP: Drama në zgjedhjet e Rusisë është vetëm se ç’do të bëjë Putini edhe 6 vjet në pushtet
Përderisa Vladimir Putini ec drejt një mandati të ri 6-vjeçar si president i Rusisë, në garë ka pak dramë zgjedhore. Ajo që do ta bëjë pas kalimit të vijës së fundit të garës është ajo që po tërheq vëmendje dhe, për shumë vëzhgues, po nxit ankth.
Jim Heintz, “Associated Press”
Votimet që përmbyllen të dielën pothuajse me siguri do t’ia lejojnë Putinit qëndrimin në pushtet deri më 2030, duke i dhënë tri dekada të plota të udhëheqjes së Rusisë, si president ose si kryeministër, raporton agjencia “Associated Press”.
Pesha e këtij pushteti të gjatë dhe shtypja e plotë e zërave të brendshëm efikas të opozitës i jep Putinit një dorë shumë të fortë – dhe ndoshta të shfrenuar.
Kjo pozitë përforcohet nga qëndrueshmëria e befasishme e ekonomisë ruse, pavarësisht nga sanksionet e gjera perëndimore pas fillimit të pushtimit të Ukrainës.
Përforcohet edhe nga avancimet e vogla por të vazhdueshme të Moskës në fushën e betejës në Ukrainë muajve të fundit, nga përkrahja e dobësuar për ndihma ushtarake për Kievin nga Shtetet e Bashkuara e nga kënde të tjera, si dhe shtimi i skepticizmit në disa shtete perëndimore rreth qëndrimeve sociale më progresiste që i bëjnë jehonë shtytjes së Putinit për “vlera tradicionale”.
Putini, thënë me pak fjalë, do ta niste mandatin e ri me pak kufizime të qarta dhe kjo do të mund ta manifestonte veten shpejt me veprime të reja të rëndësishme.
“Zgjedhjet presidenciale të Rusisë nuk janë aq të rëndësishme për atë se çfarë do të vijë pas tyre. Putini shpesh i ka shtyrë lëvizjet e papopullarizuara deri pas zgjedhjeve” – tha Bryn Brsenfeld, profesoreshë në Universitetin e Cornell-it që i studion politikat post-komuniste.
Ndoshta lëvizja më e papopullarizuar që do të mund ta bënte brenda vendit do të ishte urdhri për një mobilizim të dytë ushtarak për të luftuar në Ukrainë. I pari, në shtator të vitit 2022, kishte nxitur protesta dhe një valë e rusëve kishin ikur nga vendi për ta shmangur thirrjen e ushtrisë. Sado i papopullarizuar që mund të jetë mobilizimi i dytë, ai gjithashtu do t’i qetësonte të afërmit e ushtarëve që u mobilizuan para 18 muajve.
Disa në Rusi besojnë se kjo mund të ndodhë.
“Udhëheqësit rusë tani po flasin për “konsolidimin e tërë shoqërisë ruse përreth nevojave të saj të mbrojtjes” – tha Brian Michael Jenkins, këshilltar i lartë në organizatën “RAND Corporation”.
“Kuptimi i saktë i kësaj fraze nuk është tërësisht i qartë, por ajo lë të kuptohet se udhëheqësia e Rusisë kupton që lufta që e përshkruan Putini do të vazhdojë për një kohë të gjatë, prandaj burimet duhet të mobilizohen. Me fjalë të tjera, shoqëria ruse duhet të jetë e organizuar për gjendje lufte të përhershme” – shtoi ai.
Megjithatë, Tatiana Stanovaya nga Qendra “Carnegie” për Rusinë dhe Euroazinë, thotë se Putini nuk ka nevojë për mobilizim, pjesërisht për shkak se shumë rusë nga rajone më të varfra janë rekrutuar për të luftuar për rroga më të larta se ato që mund t’i fitojnë përmes mundësive të tyre të kufizuara në shtëpi.
Për më tepër, ai që po duket si vetëbesim i Putinit se lufta është duke u kthyer në favor të Rusisë me gjasë do ta bindë atë që ta vazhdojë këmbënguljen se mënyra e vetme për t’i dhënë fund konfliktit është që Ukraina të ulet në tavolinën e bisedimeve, shtoi ajo, duke theksuar: “Gjë që, në të vërtetë, nënkupton kapitullim.”
Përderisa përkrahja për Ukrainën po vonohet në Uashington, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryediplomati polak, Radek Sikorski, kanë thënë rishtazi se dërgimi i trupave në Kiev është të paktën mundësi hipotetike.
Duke i pasur në mendje këto deklarata, Putini mund të jetë i motivuar për ta testuar vendosmërinë e NATO-s.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli
Për ta lexuar artikullin e plotë në gjuhën angleze, klikoni këtu.