Anketë e re nga “Reuters”: Kush e thelloi epërsinë pas debatit Harris – Trump?
Demokratja Kamala Harris e ka thelluar epërsinë në 47 me 42 për qind ndaj republikanit Donald Trump në garën për president të ShBA-së, sipas një ankete të re të agjencisë “Reuters” dhe “Ipsos”-it, pas debatit të parë për të cilin shumica e votuesve mendojnë se u fitua nga zonja Harris.
Sipas anketës që zgjati dy ditë dhe u mbyll të enjten, Harrisi ka pesë për qind epërsi në mesin e votuesve të regjistruar, pak më shumë se 4 për qind sa kishte në sondazhin e mëparshëm të agjencisë “Reuters” dhe “Ipsos”-it, që ishte zhvilluar në periudhën 21 – 28 gusht.
Në mesin e votuesve që thanë se kishin dëgjuar të paktën diçka nga debati i së martës, 53 për qind thanë se ballafaqimin e fitoi demokratja Harris, ndërsa vetëm 24 për qind menduan se republikani doli fitues. Pjesa tjetër tha se asnjëri prej kandidatëve nuk e fitoi përballjen ose nuk u përgjigjën, raporton agjencia “Reuters”.
Rreth 52 për qind e atyre që ishin të familjarizuar me debatin thanë se Trumpi pati ngecje dhe nuk dukej i mprehtë, ndërsa 21 për qind menduan kështu për Harrisin. Në mesin e votuesve republikanë, një në pesë persona thanë se Trumpi nuk u duk i mprehtë.
Rreth 52 për qind e votuesve të familjarizuar me debatin thanë se Harrisi “e la përshtypjen se ka integritet më të lartë moral”, në krahasim me vetëm 29 për qind që e thanë të njëjtën gjë për ish-presidentin Trump.
Shumë republikanë gjithashtu nuk ishin të bindur për performancën e kandidatit të tyre në debatin e zhvilluar në Filadelfia. Rreth 53 për qind e votuesve republikanë në anketë thanë se Trumpi e fitoi debatin, në krahasim me 91 për qind të demokratëve që besuan se Harrisi doli fitimtare. Në mesin e republikanëve, 31 për qind thanë se asnjëri kandidat nuk fitoi, ndërsa 14 për qind thanë se Harrisi ishte më e mirë se Trumpi.
91 për qind e votuesve të regjistruar në anketë thanë se kishin dëgjuar të paktën diçka nga debati dhe 44 për qind thanë se kishin dëgjuar goxha shumë. Debati i organizuar nga televizioni “ABC News”, tërhoqi 67,1 milionë shikues, sipas të dhënave nga “Nielsen”, dukshëm më shumë se rreth 51 milionë njerëzit që e kishin shikuar debatin mes Trumpit dhe presidentit Joe Biden në qershor./Nacionale