Anija me ndihma për Gazën pritet të niset nga Qiproja
Një anije me ndihma humanitare shumë të nevojshme pritet që ta fillojë lundrimin drejt Gazës këtë fundjavë nga Qiproja.
Anija spanjolle “Open Arms” pritet që të niset nga Qiproja – shteti më i afërt i Bashkimit Evropian nga Gaza – dhe shpresohet se do të shfrytëzohet një rrugë detare e hapur rishtazi, raporton televizioni BBC.
Përderisa nuk ka port funksional dhe uji është i cekët në breg, është e paqartë nëse anija do të ankorohet, kur të arrijë në Gaza.
Kombet e Bashkuara thonë se çereku i popullsisë së Gazës është buzë vdekjes nga uria dhe se fëmijë po vdesin nga mungesa e ushqimit.
Kjo anije, që pritet të arrijë në Gaza pas pak ditëve, i përket organizatës bamirëse spanjolle me të njëjtin emër, “Open Arms”.
Me të do të transportohen 200 tonë ushqim të ofruar nga organizata bamirëse amerikane, “Kuzhina Qendrore Botërore”, tha themeluesi i organizatës “Open Arms”, Oscar Camps.
Anija pritet të niset nga porti Larnaca i Qipros këtë fundjavë dhe do t’i nevojiten dy deri në tri ditë për të arritur në një pikë të pazbuluar afër bregdetit të Gazës, shtoi Camps-i.
Ai shtoi se pjesa e fundit e lundrimit do të jetë “operacioni më i ndërlikuar”, por tha se “nuk ishte i brengosur fare për sigurinë”.
Në pikën e destinacionit, një ekip i “Kuzhinës Qendrore Botërore” ka qenë duke ndërtuar një valëpritës për t’i pranuar ndihmat, tha ai. Kjo organizatë ka 60 kuzhina në mbarë Gazën, ku do të mund ta shpërndajë ushqimin.
“Ajo që fillimisht dukej si sfidë e pakapërcyeshme, tani është buzë realizimit. Anija jonë qëndron e përgatitur për t’u ankoruar në njoftimin e çastit, e ngarkuar me tonë ushqime, ujë e furnizime jetike për civilët palestinezë” – thuhet në një shkrim të organizatës “Open Arms” në rrjetin X.
“Kuzhina Qendrore Botërore” tha se ishte duke u përgatitur për dërgimin e këtyre ndihmave me javë, në pritje të hapjes së rrugës detare.
Hapja e këtij korridori detar u njoftua të premten nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë një vizite të saj në Qipro.