Analizë e Reuters-it: Kush e fitoi debatin e mbrëmshëm mes Macron-it dhe Le Pen-it
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, largoi një pengesë të madhe nga rruga për t’u rizgjedhur në këtë post me një performancë luftarake në debatin televiziv kundër kandidates së të djathtës ekstreme, Marine Le Pen, duke e bindur shumicën e shikuesve, sipas një ankete.
Reuters
Ndonëse kandidatja Le Pen u shfaq më "e lustruar" dhe më e qetë sesa në debatin për zgjedhjet presidenciale të vitit 2017, Macron-i e vazhdoi ofensivën për lidhjet e saj me udhëheqësinë ruse, për planet e saj për ekonominë dhe politikën për Bashkimin Evropian.
Pak ditë para rundit të dytë, që mbahet të dielën, rreth 59 për qind e shikuesve vlerësuan se presidenti i tanishëm ishte më bindës në debat, sipas një ankete të zhvilluar për televizionin “BFM TV”. Kjo lë të kuptohet se debati, që zgjati gati tri orë, nuk do ta ndryshojë rrjedhën e zgjedhjeve, pasi Macron-i ka dalë i pari edhe në të gjitha anketat e mëhershme.
Anketat kanë shfaqur rritje të epërsisë së Macron-it ndaj Le Pen-it deri në 12 për qind (56 për qind me 44 për qind) që nga rundi i parë i zgjedhjeve, që u mbajt më 10 prill. Analistët thanë se debati i mbrëmshëm nuk pritet që ta ndryshojë rrjedhën e votave në favor të politikanes së të djathtës ekstreme.
“Po, Emmanuel Macron-i fitoi, por kundërshtarja e tij e ka shmangur përsëritjen e katastrofës së herës së kaluar. Ky debat nuk e diskualifikon atë si debati i vitit 2017, por as nuk e ndihmon që ta ngushtojë epërsinë”, tha ish-ambasadori i Francës në Shtetet e Bashkuara, Gerard Araud.
Në ofensivë gjatë pjesës më të madhe të debatit, linja më shpuese e sulmit e Macron-it ishte për një hua që partia e Le Pen-it kishte marrë për fushatën e vitit 2017, që ishte kontraktuar përmes një banke ruse.
“Ti flet për bankierin tënd, kur flet për Rusinë, ky është problemi. Ti varesh nga fuqia ruse, ti varesh nga z. Putin”, i tha Macron-i kundërshtares së tij.
Sa i përket kostos së jetesës, që është vlerësuar si problemi më i rëndësishëm për francezët në këto zgjedhje, u duk se Macron-i gjithashtu e vendosi Le Pen-in në mbrojtje, duke e pyetur se pse ka votuar kundër planeve të tij për rregullimin e çmimeve të energjisë, nëse donte t’i ndihmonte punëtorët me të ardhura të vogla.
Bernard Sananes nga kompania e anketave “Elabe”, tha: “Secili prej tyre ka nga një dobësi të madhe. Emmanuel Macron-i vlerësohet arrogant nga më shumë se një në dy shikues dhe Marine Le Pen-i mbetet e frikshme për gjysmën e tyre.”/Nacionale