Analisti amerikan thotë se Ukraina do të duhet të luajë me rregullat e Rusisë
Përjashtimi i Evropës nga bisedimet mes Shteteve të Bashkuara e Rusisë të martën nënkupton që “Ukraina duhet të shkojë në ato bisedimet dytësore duke luajtur me rregullat e dikujt tjetër, duke luajtur kryesisht sipas rregullave të Rusisë, që do të thotë se rezultati është goxha i paracaktuar para se ata të ulen në tavolinë”, sipas analistit dhe profesorit amerikan, Matthew Schmidt.
Schmidt, profesor i asocuar i sigurisë kombëtare në Universitetin New Haven, i tha televizionit CNN se këto bisedime e ngrenë pyetjen se cilët paqeruajtës potencialë do të mund të pranoheshin edhe nga NATO-ja, edhe nga Rusia.
Michael Mociurkiw, ish-zëdhënës i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, i tha televizionit CNN se Ukraina ka “shumë pak leva” tani për tani dhe mbështetet te Shtetet e Bashkuara për “inteligjencë kritike” që përdoret në fushën e betejës.
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, raportohet se po kërkon sasi “zhvatëse” të mineraleve të rralla që ndodhen në Ukrainë, shtoi ai, potencialisht me vlerë të miliarda dollarëve.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të hënën se është i hapur për nënshkrimin e një marrëveshjeje që do t’i ofronte ShBA-së qasje në minerale të rralla, nëse Uashingtoni ofron në këmbim garanci të sigurisë për Kievin.