“Amnesty” e akuzon grupin paramilitar RSF për krime lufte në el-Fasher të Sudanit
Organizata e njohur për të drejtat e njeriut, “Amnesty International”, tha të martën se mizoritë e kryera nga grupi paramilitar sudanez RSF (Forcat e Mbështetjes së Shpejtë) në një qytet të provincës Darfur të Sudanit përbëjnë krime lufte.
Në raportin e saj, organizata tha se kishte grumbulluar dëshmi që i përshkruajnë barbaritë e kryera nga RSF-ja, kur luftëtarët e saj e morën nën kontroll kryeqytetin e provincës së Darfurit Verior nga ushtria sudaneze në fund të muajit të kaluar, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Organizata tha se në mesin e mizorive përfshihen ekzekutimi i dhjetëra burrave të paarmatosur dhe përdhunimi i grave e i vajzave. “Amnesty” tha se njerëz të tjerë ishin marrë peng nga luftëtarët e RSF-së për të kërkuar më pas ryshfet për lirimin e tyre, ndërsa dëshmitarët thonë se panë “qindra trupa të vdekurish të lënë të shtrirë” rrugëve të qytetit dhe në rrugët kryesore jashtë el-Fasherit.
“Kjo dhunë e vazhdueshme dhe e përhapur kundër civilëve përbën krime lufte dhe gjithashtu mund të përbëjë krime të tjera sipas së drejtës ndërkombëtare” – tha zonja Agnes Callamard, sekretare e përgjithshme e organizatës “Amnesty International”.
RSF-ja nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Grupi ka pranuar se disa nga luftëtarët e vet kanë kryer shkelje në el-Fasher dhe është zotuar për hetime.
Disa dëshmitarë i thanë agjencisë “Associated Press” muajin e kaluar se luftëtarët e RSF-së kishin shkuar shtëpi më shtëpi, duke vrarë civilë e duke kryer sulme seksuale. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se disa persona të armatosur kanë vrarë të paktën 460 njerëz në një spital dhe kanë rrëmbyer mjekë e infermierë.
“Amnesty” tha në raportin e vet se hulumtuesit e organizatës kanë biseduar me 28 persona të mbijetuar që kishin arritur të iknin nga qyteti el-Fasher. Ata thanë se kishin parë grupe burrash të qëlluar me armë ose të rrahur si dhe marrje peng të njerëzve për të kërkuar më pas ryshfet për lirimin e tyre.