Amira 17-ditëshe dhe vëllai i saj 2-vjeçar vriten nga një sulm izraelit në Gaza
U lind në luftë, në një spital pa rrymë në një qytet në jug të Gazës që është bombarduar përditë. Familja ia la emrin al-Amira Aisha – Princesha Aisha. Nuk e mbushi as javën e tretë të jetës para se të vdiste. U vra nga një sulm ajror izraelit që e goditi shtëpinë e familjes së saj të martën.
Familja e gjerë e foshnjës ishte në gjumë, kur sulmi izraelit e bëri rrafsh bllokun banesor në Rafah para agimit, tha Suzan Zoarab, gjyshja e vajzës dhe e mbijetuar e shpërthimit. Zyrtarë të spitalit thanë se 27 persona u vranë në këtë rast – në mesin e tyre Amira dhe vëllai i saj 2-vjeçar, Ahmedi, raporton agjencia “Associated Press”.
“Vetëm dyjavëshe. Emri i saj as nuk ishte regjistruar”- tha gjyshja me zë të dridhur, përderisa foli anash shtratit të djalit të saj në spital, që është lënduar nga shpërthimi.
Tragjedia e kësaj familjeje erdhi në kohën kur numri i të vrarëve në Gaza po i afrohet 20-mijëshit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Shumica janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite, nga të cilat është goditur pa mëshirë enklava për dy muaj e gjysmë. Shpesh janë shkatërruar shtëpi me familje brenda tyre.
Familja Zoarab ishte në mesin e pak palestinezëve në Gaza që kishin mbetur në shtëpitë e veta. Ofensiva izraelite, njëra nga më shkatërrueset në shekullin XXI, ka zhvendosur rreth 1,9 milion njerëz – më shumë se 80 për qind e popullsisë së enklavës – duke i dërguar në kërkim të strehimit në shkolla, spitale e kampe të OKB-së ose në rrugë.
Megjithatë, familja Zoarab kishte qëndruar në banesën e vet, në bllokun trekatësh. Dy prej djemve të zonjës Suzan kishin banesa në kate më të larta, por familja e gjerë ishte dyndur bashkë në katin përdhes, duke besuar se ai ishte vend më i sigurt. Kur ndodhi sulmi, të paktën 13 anëtarë të familjes Zoarab u vranë, përfshirë një gazetar si dhe disa persona të zhvendosur, që ishin strehuar aty afër.
“Pamë që e tërë shtëpia ishte shembur mbi ne”- tha gjyshja. Punëtorët e shpëtimit i nxorën të gjallët e të vdekurit nga rrënojat.
Izraeli thotë se është duke i sulmuar caqet e Hamasit në Gaza dhe i fajëson militantët për vdekjen e civilëve, sepse ata operojnë në zona banimi.