Amerikanit i zbulohet në garazh një raketë bërthamore inerte - NACIONALE

Amerikanit i zbulohet në garazh një raketë bërthamore inerte

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia në shtetin amerikan të Uashingtonit thotë se një raketë e vjetër, që është gjetur në garazhin e një burri, është raketë bërthamore inerte.

Të mërkurën, një muze ushtarak në Ohio e telefonoi policinë në qytetin Bellevue për të raportuar rreth një oferte për një donacion goxha të pazakonshëm, raporton televizioni BBC.

Policia pastaj dërgoi një njësi kundër bombave te shtëpia e donatorit potencial.

“Ne mendojmë se do të kalojë edhe një kohë e gjatë, e gjatë para se të pranojmë përsëri një telefonatë si kjo” – tha policia, duke iu referuar këngës së Elton John-it, Rocket Man.

Në një deklaratë për shtyp, policia tha se pajisja në të vërtetë është raketë ajër – ajër pa vetëdrejtim e tipit “Douglas AIR-2 Genie”, e dizajnuar për të bartur kokë bërthamore W25.

Megjithatë, në të nuk kishte ndonjë kokë bërthamore, që do të thotë se nuk paraqitej rrezik ndaj komunitetit.

Zëdhënësi i Departamentit të Policisë në Bellevue, Seth Tyler, i tha televizionit BBC të premten se pajisja ishte “thjesht një rezervuar karburanti për lëndë djegëse raketore”. Ai e quajti këtë rast “aspak serioz”.

“Në të vërtetë, një pjesëtar i ekipit kundër bombave më pyeti pse po lëshonim deklaratë për media për një pjesë të ndryshkur metali” – shtoi ai.

Telefonata policisë i erdhi nga Muzeu Kombëtar i Forcës Ajrore të ShBA-së afër qytetit Dayton të Ohios.

Personi që iu gjet raketa nuk dëshiron të identifikohet dhe është “tepër i irrituar” nga vëmendja e mediave dhe se ai “nuk ishte duke pritur telefonatë nga ne” – shtoi zëdhënësi Tyler, duke theksuar se, si duket, muzeu nuk e kishte paralajmëruar personin se do të raportohej në polici për ofertën e donacionit.

Lajme të ngjashme