Amerikani 72-vjeçar deklarohet fajtor në Rusi se luftoi si mercenar për Ukrainën
Amerikani Stephen James Hubbard u deklarua fajtor të hënën në një gjykatë ruse për akuzat për aktivitet mercenar, duke pranuar se kishte marrë para për të luftuar për Ukrainën kundër Rusisë, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, RIA.
“Po, unë pajtohem me aktakuzën” – citohet të ketë thënë ai, sipas agjencisë RIA, përcjell agjencia “Reuters”.
72-vjeçari ishte lënë në ndalim paragjyqësor javën e kaluar për gjashtë muaj. Nëse shpallet fajtor, mund të dënohet me më së shumti 15 vite burgim.
Agjencia RIA, duke cituar një prokuror në gjykatë, tha se amerikani kishte nënshkruar një kontratë me një njësit ukrainas për mbrojtje territoriale në qytetin qendror, Izyum, në fillim të luftës, në shkurt të vitit 2022.
Prokuroria tha se atij i ishin premtuar nga një mijë dollarë në muaj dhe i ishin ofruar trajnim, armë e municion. Hubbard ishte ndaluar nga ushtarët rusë më 2 prill të atij viti, citohet të ketë thënë prokurori.
Hubbard, nga Michigan-i i ShBA-së, kishte punuar si mësimdhënës i anglishtes jashtë vendit me dekada, i tha agjencisë “Reuters” motra e tij, Patricia Fox. Ajo mohoi se vëllai i saj ishte mercenar dhe shtoi se ai nuk kishte interesim për të luftuar në ndonjë luftë.
Ajo tha se Hubbard ishte vendosur në Ukrainë më 2014 dhe kishte jetuar atje për ca kohë me një grua, duke mbijetuar me një pension të vogël.