Ambasada ruse në Londër: S’kemi plan ta sulmojmë Britaninë, s’kemi nevojë - NACIONALE

Ambasada ruse në Londër: S’kemi plan ta sulmojmë Britaninë, s’kemi nevojë

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Ambasada e Federatës Ruse në Londër tha të martën se Rusia nuk ka për synim që ta sulmojë Britaninë, duke i kundërshtuar akuzat e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për shtim të agresionit dhe sulme kibernetike të përditshme.

Britania tha të hënën se do ta ndryshojë në mënyrë radikale qasjen e saj ndaj mbrojtjes për t’i adresuar rreziqet e reja, përfshirë ato që vijnë nga Rusia, pas pranimit të të gjeturave të një analize strategjike të mbrojtjes, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Pas njoftimit të ndryshimeve në fushën e mbrojtjes të hënën, sekretari i Mbrojtjes, John Healey, tha se Evropa është duke u ballafaquar me luftë, me agresion rus në rritje, me kërcënime të reja bërthamore dhe me sulme kibernetike të përditshme.

Ambasada ruse në Londër lëshoi një deklaratë të martën duke e kritikuar atë që e përshkroi si “breshëri të re të retorikës antiruse”.

“Rusia nuk paraqet kërcënim ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe popullit të saj” – thuhet në deklaratë. “Ne nuk kemi synime agresive dhe nuk kemi plane për ta sulmuar Britaninë. Nuk jemi të interesuar për ta bërë këtë dhe as nuk kemi nevojë” – thuhet më tej.

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Britanisë janë në pikën më të ulët që nga Lufta e Ftohtë. Ato u përkeqësuan edhe më tej pas fillimit të pushtimit të plotë rus të Ukrainës në shkurtin e vitit 2022. Britania dhe vendet e tjera të NATO-s i kanë dhënë ndihma të shumta ushtarake dhe forma të tjera të mbështetjes Ukrainës.

Edhe ambasada e Kinës në Londër e kritikoi rishikimin e politikës së mbrojtjes nga Britania, duke thënë në një deklaratë të martën se në dokument qëllimisht u keqinterpretua politika kineze e mbrojtjes për ta justifikuar zgjerimin ushtarak britanik./Nacionale

Lajme të ngjashme