Ambasada e ShBA-së në Danimarkë deklarohet për praninë ushtarake në Grenlandë
Shtetet e Bashkuara tani për tani nuk kanë plane për ta shtuar praninë ushtarake në Grenlandë, tha të enjten ambasada amerikane në Kopenhagë, pas përtëritjes së interesimit të preisidentit në ardhje, Donald Trump, për ta marrë kontrollin e ishullit gjigant.
“Nuk ka plane për ta shtuar vendosjen e tanishme ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Grenlandë. Ne do të vazhdojmë që të punojmë ngushtë me Kopenhagën dhe Nuuk-un [kryeqytet i Grenlandës] për t’u siguruar që cilido propozim t’i plotësojë nevojat tona të përbashkëta për sigurinë” – i tha një zëdhënës i ambasadës amerikane agjencisë së lajmeve “Reuters”.
Trumpi, i cili do të rikthehet në pushtet më 20 janar, tha këtë javë se kontrolli i Grenlandës nga Shtetet e Bashkuara është “nevojë absolute” dhe nuk e përjashtoi përdorimin e veprimeve ushtarake ose ekonomike si taksat kundër Danimarkës për ta arritur këtë qëllim.
Grenlanda është jetike për ushtrinë amerikane dhe për sistemin e saj për paralajmërim të hershmë për raketa balistike, pasi rruga më e shkurtër nga Evropa për në Amerikën e Veriut kalon nëpër këtë ishull.
Ministri i Jashtëm i Danimarkës tha të mërkurën se Grenlanda mund të bëhet e pavarur, por zor se mund të bëhet njëri nga shtetet e ShBA-së.
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, gjithashtu doli kundër idesë së presidentit të zgjedhur.
“Ideja e shprehur për Grenlandën nuk është e mirë, nuk do të ndodhë dhe nuk është një ide për të cilën duhet të humbim kohë duke folur” – tha kryediplomati amerikan në largim gjatë një vizite në Paris, udhëtimi i tij i fundit zyrtar jashtë vendit para se të largohet nga posti./Nacionale