Aliyevi i Azerbajxhanit e akuzon Perëndimin për hipokrizi rreth gazit dhe klimës
Ilham Aliyev, president i Azerbajxhanit, ku po mbahen samiti ndërkombëtar për klimën, COP29, e ka shfrytëzuar fjalën e tij hyrëse për t’i kritikuar për hipokrizi qeveritë perëndimore, të cilat blejnë gaz nga vendi i tij, ndërsa i japin leksione për mbrojtjen e planetit.
“Fatkeqësisht standardet e dyfishta, një shprehi për t’u dhënë leksione shteteve të tjera dhe hipokrizia politike u bënë një lloj i modus operandi për disa politikanë, OJQ të kontrolluara nga shteti dhe media me lajme të rreme në disa shtete perëndimore” – tha ai, raporton “Politico”.
Fjalimet hapëse në konferencat vjetore të COP-it rrallë përmbajnë sulme të tilla të drejtpërdrejta politike ose mbrojtje të tillë të lëndëve fosile, sidomos jo nga vendi që është organizator i samitit.
Presidenti azer tha se nafta dhe gazi janë “një dhuratë nga Zoti” – njësoj si çdo burim tjetër natyror.
“Shtetet nuk duhet të fajësohen që i kanë ato dhe nuk duhet të fajësohen për sjelljen e këtyre burimeve në treg, sepse tregu ka nevojë për to. Njerëzit kanë nevojë për to” – shtoi ai.
Ai vuri në shënjestër në veçanti shtete evropiane që kanë nënshkruar marrëveshje për zgjerimin e blerjes së gazit nga Azerbajxhani pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës.
“Nuk ishte ideja jonë. Ishte propozim i Komisionit Evropian” – tha ai, duke përshkruar një takim me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në korrik të vitit 2022, kur BE-ja nënshkroi një marrëveshje me Azerbajxhanin për ta dyfishuar furnizimin me gaz nga ky shtet.
“Ata patën nevojë për gazin tonë për shkak të situatës së ndryshuar gjeopolitike dhe na kërkuan ndihmë” – shtoi Aliyevi.