Algjeria do të dëbojë 12 zyrtarë të ambasadës franceze
Algjeria ka kërkuar nga 12 pjesëtarë të stafit të ambasadës franceze që të largohen nga vendi brenda 48 orëve, sipas ministrit të Jashtëm të Francës, Jean-Noël Barrot.
Kryediplomati francez shtoi se ky veprim është i lidhur me ngritjen e aktakuzës ndaj tre algjerianëve në Francë të premten, njëri prej të cilëve është zyrtar i konsullatës, raporton televizioni BBC.
Ata akuzohen për përfshirje në rrëmbimin e vitit të kaluar të 41-vjeçarit Amir Boukhors, kritik i dalluar i qeverisë algjeriane, i cili ka audiencë prej më shumë se 1 milionë njerëzish në internet. Raportohet se atij i ishte ofruar azil në Francë më 2023.
Ministri Barrout i bëri thirrje Algjerisë që të heqë dorë nga dëbimi i zyrtarëve francezë dhe tha se Franca është e gatshme për t’u “kundërpërgjigjur menjëherë”, nëse shteti afrikan e zbaton vendimin për dëbim.
Boukhors, i njohur edhe si Amir DZ, ka jetuar në Francë nga viti 2016. Ai ishte rrëmbyer në prillin e vitit të kaluar në periferi të Parisit dhe ishte liruar të nesërmen, sipas avokatit të tij, Eric Plouvier.
Autoritetet algjeriane e akuzojnë influencerin se është “sabotues i lidhur me grupe terroriste”. Algjeria ka lëshuar nëntë urdhërarreste ndërkombëtare kundër tij, duke e akuzuar për mashtrim dhe për lidhje me organizata terroriste.
Ai i mohon akuzat. Në vitin 2022, gjykatat franceze i kishin refuzuar përpjekjet për ekstradimin e tij në Algjeri.
Ky rast është më i riu në një grumbull incidentesh që po shtohen dhe që e kanë përkeqësuar përplasjen mes dy vendeve.
Këtu përfshihet edhe arrestimi dhe burgosja në Algjeri e shkrimtarit franko-algjerian, Boualem Sansal, i cili ishte akuzuar për minimin e integritetit territorial të Algjerisë.
Vitin e kaluar, Algjeria e tërhoqi ambasadorin e saj nga Parisi, pasi Franca e mbështeti pretendimin e Marokut ndaj territorit të kontestuar të Saharasë Perëndimore.
Në mesin e dymbëdhjetë zyrtarëve francezë që u është kërkuar largimi të hënën përfshihen disa anëtarë të Ministrisë së Brendshme të Francës, i tha agjencisë së lajmeve AFP një burim diplomatik./Nacionale