Aleatët e Ukrainës s’u njoftuan për ngrirjen e ndihmave të ShBA-së, thotë Polonia - NACIONALE

Aleatët e Ukrainës s’u njoftuan për ngrirjen e ndihmave të ShBA-së, thotë Polonia

1 vit më parë

nga NACIONALE

Aleatët e Ukrainës nuk ishin të njoftuar paraprakisht për vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për pezullimin e ndihmave ushtarake për Kievin, ka thënë Ministria e Jashtme e Polonisë, përderisa politikanët evropianë e ripohuan mbështetjen e tyre për Ukrainën, e cila po ballafaqohet me dëshmi të mëtejme të ndryshimit të politikës amerikane.

Njoftimi i presidentit amerikan “u bë pa ndonjë informatë apo konsultim, as me aleatët e NATO-s, as me grupin Ramstein, i cili është i përfshirë në mbështetjen e Ukrainës” – tha të martën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Polonisë, Pawel Wronski, raporton gazeta “The Guardian”.

Ai e përshkroi vendimin e Shteteve të Bashkuara si “shumë të rëndësishëm”, ndërsa situatën si “shumë serioze”.

Kryeministri polak, Donald Tusk, tha në një takim të kabinetit qeveritar në Varshavë se Evropa ballafaqohet me rreziqe të pashembullta, përfshirë “më të madhin në disa dekadat e fundit, kur bëhet fjalë për sigurinë”.

Tusku tha se Qeveria e Polonisë do të jetë e detyruar që të marrë disa vendime “të jashtëzakonshme”. “Një vendim u njoftua për pezullimin e ndihmës amerikane për Ukrainën dhe ndoshta fillimin e heqjes së sanksioneve ndaj Rusisë. Ne nuk kemi ndonjë arsye për të menduar se këto janë vetëm fjalë” – tha kryeministri polak.

“Kjo i vë Evropën, Ukrainën, Poloninë në një situatë më të vështirë” – tha ai, duke shtuar se Varshava është e vendosur për t’i “intensifikuar aktivitetet në Evropë për t’i rritur kapacitetet tona të mbrojtjes”, ndërkohë duke i mbajtur marrëdhëniet më të mira të mundshme me Shtetet e Bashkuara.

Ministri francez për Çështje Evropiane, Benjamin Haddad, tha se vendimi i Trumpit e ka bërë më të largët perspektivën për paqe, sepse ai “vetëm e fuqizon dorën e agresorit në terren, që është Rusia”./Nacionale

Lajme të ngjashme