Aleatët e NATO-s refuzojnë t’i bashkohen bllokadës së Trumpit në Ngushticën e Hormuzit - NACIONALE

Aleatët e NATO-s refuzojnë t’i bashkohen bllokadës së Trumpit në Ngushticën e Hormuzit

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Aleatët e NATO-s thanë të hënën se nuk do të përfshiheshin në planin e presidentit amerikan, Donald Trump, për bllokimin e Ngushticës së Hormuzit. Në vend të kësaj mase, aleatët propozuan që të ndërhyhet vetëm pas përfundimit të luftimeve. Ky qëndrim ka gjasa që ta zemërojë presidentin amerikan dhe t’i shtojë tensionet brenda aleancës.

Trumpi tha se ushtria amerikane do të punonte me vende të tjera për ta bllokuar tërë trafikun detar në këtë rrugë detare, pasi në bisedimet e fundjavës nuk u arrit ndonjë marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit 6-javor me Iranin. Ushtria amerikane më vonë saktësoi se bllokada, që u planifikua për të nisur në orën 14:00 të hënën, do të vlejë vetëm për anijet që shkojnë ose nisen nga portet iraniane, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Që nga fillimi i luftës më 28 shkurt, Irani kryesisht e ka bllokuar ngushticën për të gjitha anijet, përpos atyre iraniane. Teherani është përpjekur që ta bëjë të përhershëm kontrollin në Ngushticën e Hormuzit dhe mundësisht edhe të vendosë taksa ndaj anijeve që e shfrytëzojnë atë.

“Bllokada do të fillojë së shpejti. Shtete të tjera do të jenë të përfshira në këtë bllokadë” – shkroi të dielën Trumpi në rrjetin “Truth Social”.

Megjithatë, aleatët e NATO-s, përfshirë Britaninë dhe Francën, thanë se nuk do të tërhiqen në konflikt duke marrë pjesë në bllokadë, duke thënë se ishin duke punuar në një nismë për hapjen e kësaj rruge detare, nëpër të cilën zakonisht kalonte një e pesta e dërgesave globale të naftës.

Refuzimi i aleatëve për të marrë pjesë në bllokadën e Hormuzit është një pikë tjetër e përplasjes me Trumpin, i cili ka kërcënuar me tërheqjen e vendit të tij nga NATO_ja dhe po e shqyrton tërheqjen e një pjese të trupave amerikane nga Evropa, pasi disa shtete refuzuan që aeroplanë ushtarakë amerikanë t’i përdornin hapësirat e tyre ajrore për sulme kundër Iranit.

“Ne nuk do ta përkrahim bllokadën. Vendimi im ka qenë shumë i qartë se, cilado qoftë trysnia, dhe ka pasur ca trysni të konsiderueshme, ne nuk do të tërhiqemi në luftë” – tha kryeministri britanik, Keir Starmer.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u ka thënë qeverive evropiane se Trumpi dëshiron zotime konkrete në të ardhmen e afërt për ta mbështetur sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, i thanë javën e kaluar diplomatët agjencisë “Reuters”./Nacionale

Lajme të ngjashme