Albanese e paraqet planin për banim të përballueshëm, vetë blen shtëpi milionëshe
Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, të martën e paraqiti programin e ri të ndërtimit për ta adresuar mungesën kritike të banesave e shtëpive, në ditën e njëjtë kur në media mbizotëroi lajmi për planin e tij që të blejë një shtëpi me pamje nga deti, me çmim prej 2,9 milionë dollarësh amerikanë.
Qeveria laburiste e Albaneses është zotuar për ndërtimin e 1,2 milion shtëpive deri më 2030 për ta ndihmuar lehtësimin e presioneve të kostos në njërin prej tregjeve më të shtrenjta të banimit në botë, raporton agjencia “Reuters”.
Çështja ka marrë vëmendje të veçantë me afrimin e zgjedhjeve federale dhe qeveria e qendrës së majtë tani po del në sondazhe prapa kundërshtarëve të saj konservatorë.
Në një konferencë për gazetarë që u organizuar për njoftimin e planeve për ndërtimin e më shumë se një mijë shtëpive në shtetin Queensland, shumë prej tyre me kosto të ulët, Albanese u vërshua me pyetje për shtëpinë që po planifikon ta blejë me të fejuarën e vet.
“Unë fitoj të ardhura të mira. E kuptoj këtë. E kuptoj që kam qenë me fat, por gjithashtu e di se çfarë është të përpiqesh. Nëna ime jetoi në atë banesë publike ku ishte lindur për tërë 65 vitet e saj... prandaj unë dua t’i ndihmojë të gjithë australianët për të pasur një shtëpi” – tha Albanese.
Ai i propozoi partneres së saj Jodie Haydon në shkurt dhe shtëpia e re në bregdetin qendror, 65 kilometra në veri të qytetit Sydney, ndodhet afër vendit ku jeton familja e saj.
Çmimet e shtëpive në Australi u rritën për muajin e 19-të rresht në shtator – për 7.1 për qind më shtrenjtë se një vit më parë.
Sydney është qyteti i dytë më i shtrenjtë në botë për banim, sipas një mase që i krahason çmimet me të ardhurat.
Në vitin 2022, gazeta “Nacionale” kishte raportuar për prejardhjen e mundshme shqiptare të Albaneses, pasi babai i tij kishte imigruar nga Italia, nga një vendbanim me shumë arbëreshë. Shenjë e fortë është edhe vetë mbiemri i tij, Albanese, që në italishte do të thotë “shqiptar”./Nacionale