Al-Sharaa e nënshkruan kushtetutën e re të Sirisë: Kreu i shtetit duhet të jetë mysliman - NACIONALE

Al-Sharaa e nënshkruan kushtetutën e re të Sirisë: Kreu i shtetit duhet të jetë mysliman

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, të enjten nënshkroi një kushtetutë të përkohshme që e lë vendin nën qeverisje islame, ndërkohë duke premtuar se do t’i mbrojë të drejtat e të gjithë sirianëve për pesë vjet gjatë fazës kalimtare.

Pushtetarët e përkohshëm të vendit janë ballafaquar me vështirësi për ta ushtruar autoritetin e tyre në një pjesë të madhe të Sirisë që nga koha kur grupi kryengritës, Hayat Tahrir al-Sham (HTS) udhëhoqi një kundërsulm të shpejtë që e solli rrëzimin e ish-presidentit Bashar al-Assad në dhjetor, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Abdulhamid Al-Awak, njëri prej disa anëtarëve të komisionit të cilin Al-Sharaa e kishte ngarkuar me hartimin e kushtetutës së përkohshme, tha në një konferencë për gazetarë të enjten se kushtetuta e re do t’i ruajë disa nga dispozitat e të vjetrës, përfshirë kushtin që kreu i shtetit duhet të jetë mysliman dhe ligji islam burimi kryesor i jurisprudencës.

Megjithatë, Al-Awak, ekspert i së drejtës kushtetuese që ligjëron në Universitetin Mardin Artuklu në Turqi, gjithashtu tha se kushtetuta e përkohshme përfshin dispozita që e ruajnë lirinë e të shprehurit dhe të mediave.

Kushtetuta do të bëjë “baraspeshë mes sigurisë sociale dhe lirisë” gjatë situatës së paqëndrueshme politike të Sirisë, tha ai, dhe do të vendosë një “ndarje absolute dhe të palëkundur” mes autoriteteve legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.

Teksti i kushtetutës së përkohshme, i publikuar të enjten vonë, e parasheh themelimin e Komitetit të Popullit, i cili do të shërbejë si kuvend i përkohshëm derisa të miratohet një kushtetutë e përhershme dhe të mbahen zgjedhjet. Dy të tretat e anëtarëve të këtij komiteti do të emërohen nga një komision i zgjedhur nga presidenti i përkohshëm, ndërsa një e treta nga vetë Al-Sharaa.

Do të themelohet edhe një komision i ri për hartimin e një kushtetute të përhershme, por është e paqartë nëse ajo do të jetë më gjithëpërfshirëse ndaj grupeve politike, fetare e etnike të Sirisë.

Të hënën, Al-Sharaa arriti një marrëveshje të rëndësishme me autoritetet e udhëhequra nga kurdët e të përkrahura nga ShBA-ja në pjesën verilindore të Sirisë. Në pakt përfshihet një armëpushim dhe shkrirja e forcave të tyre në agjencitë e sigurisë të qeverisë qendrore./Nacionale

Lajme të ngjashme