Akuza e Izraelit se nuk u dorëzua trupi i penges Bibas, vjen reagimi i Hamasit
Grupi palestinez, Hamas, tha të premten se mbetjet e penges izraelite, Shiri Bibas, duket se janë përzier me mbetje të tjera njerëzore nga rrënojat, pasi një sulm ajror izraelit e kishte goditur vendin ku po mbahej ajo, raporton agjencia e lajmeve "Reuters".
Më herët, ushtria izraelite tha se njëri nga katër trupat e kthyer nga Gaza në Izrael nuk ishte i penges Bibas dhe se e ka informuar familjen që dy bijtë e saj janë identifikuar.
“Gjatë procesit të identifikimit, u përcaktua se trupi shtesë i pranuar nuk është i Shiri Bibas-it dhe asnjë lidhje nuk u gjet për ndonjë peng tjetër. Ky është një trup anonim, i paidentifikuar” – shkroi ushtria izraelite në rrjetin X, përcjell gazeta "Nacionale".
Ushtria izraelite tha se dy fëmijët “u vranë brutalisht nga terroristët në robëri në nëntor të vitit 2023”, sipas të gjeturave të inteligjencës dhe të forenzikës. Sidoqoftë, Hamasi ka thënë se fëmijët dhe nëna e tyre janë vrarë nga bombardimet izraelite.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të premten se vendi i tij do të bëjë që Hamasi ta paguajë “çmimin e plotë” pas dështimit që ta lirojë trupin e penges Shiri Bibas sipas marrëveshjes së armëpushimit.
“Ne do të veprojmë me vendosmëri për ta kthyer në shtëpi Shiri-n bashkë me të gjitha pengjet tona – të gjallat dhe të vdekurat – dhe do të sigurohemi që Hamasi ta paguajë çmimin e plotë për këtë shkelje mizore e të ligë të marrëveshjes” – tha Netanyahu në një video-deklaratë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Netanyahu e akuzoi Hamasin se veproi “në një mënyrë cinike të papërshkrueshme” duke e vendosur trupin e një gruaje të Gazës në arkivolin e Shiri Bibas-it, e cila ishte rrëmbyer bashkë me dy djemtë dhe bashkëshortin gjatë sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.