Aktivistët izraelitë e kalojnë kufirin e Sirisë, mundohen të ndërtojnë vendbanim
Një grup i aktivistëve kolonë, përfshirë disa fëmijë, e kaluan kufirin dhe hynë në Siri të hënën në përpjekje për të ndërtuar një vendbanim të ri në tokën që tani për tani kontrollohet nga ushtria izraelite.
Ushtria tha se disa trupa u dislokuan në vendin e ngjarjes, matanë kufirit afër qytezës Alonei Habashan, pasi disa automjete civile ishin parë duke hyrë në Siri, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
“Trupat e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit në vendin e ngjarjes i kthyen civilët në mënyrë të sigurt në territorin e Shtetit të Izraelit pas një kohe të shkurtër” – tha ushtria, duke shtuar se ata u ftuan për t’u marrë në pyetje nga policia.
“Ky është një incident i rëndë që përbën shkelje penale dhe i rrezikon publikun dhe trupat e ushtrisë izraelite” – thuhet më tej në deklaratë.
Mediumi izraelit “i24News” i pari raportoi për rastin, duke e identifikuar grupin e aktivistëve si “Pionierët Bashan”, sipas emrit biblik për Rrafshnaltën e Golanit dhe rajonin e Sirisë jugore.
Në disa video të publikuara në rrjete sociale, aktivistët shihen duke vendosur një shenjë për një vendbanim të ri që ia vunë emrin “Nave Habashan”, duke vallëzuar e duke e mbajtur atë që thanë se ishte ceremonia e vënies së gurthemelit për komunitetin e ri.
"חלוצי הבשן": קבוצת יהודים עברו היום את הגדר של גבול סוריה ושתלו עץ במקום, מספר משתתפים עברו גם את המכשול של צה"ל והוחזרו על ידי חיילים pic.twitter.com/vzBbJSPjz6
— שיראל ללום נהיר🇮🇱 (@shirellaloom) August 18, 2025
Sipas raportit të mediumit “i24News”, organizatorët kishin planifikuar që të qëndronin brenda territorit sirian, bashkë me fëmijët e tyre, për një periudhë të gjatë kohore.
Që nga rënia e ish-presidentit sirian, Bashar al-Assad, në dhjetor të vitit të kaluar, trupat izraelite janë dislokuar në nëntë pika brenda territorit të Sirisë në jug të këtij shteti, kryesisht brenda zonës neutrale të patrulluar nga OKB-ja. Izraeli ka thënë se kjo masë është e nevojshme për mbrojtje, në kohën kur Siria është marrë nën kontroll nga grupe me ideologji xhihadiste.
Në dhjetor, një grup i aktivistëve kolonë izraelitë hynë në territorin e Libanit – zonë nën kontrollin izraelit në atë kohë – në përpjekje për të ndërtuar një vendbanim atje, por ishin larguar më pas nga ushtria izraelite./Nacionale