Aksionarët e "Tesla"-s e miratojnë planin për ta paguar Muskun 878 miliardë dollarë
Shefi ekzekutiv i kompanisë “Tesla”, Elon Musk, siguroi një fitore domethënëse të enjten, pasi aksionarët miratuan një pako pagesash me vlerë të 878 miliardë dollarëve për dekadën e ardhshme, duke e mbështetur vizionin e tij që prodhuesi i veturave elektrike të shndërrohet në një gjigant të inteligjencës artificiale dhe robotikës.
Vlera e aksioneve të kompanisë “Tesla” u rrit për rreth 2 për qind pas këtij lajmi. Propozimi u miratua me mbështetje prej 75 për qind, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Musku doli në skenë në Austin të Teksasit, bashkë me disa robotë që vallëzonin. “Ajo në të cilën do të hyjmë nuk është thjesht një kapitull i ri për të ardhmen e Teslas, por një libër i tërë i ri” – tha ai.
Aksionarët gjithashtu rizgjodhën tre drejtorë në bordin e “Tesla”-s dhe votuan në favor të një plani të zëvendësimit të pagesave për shërbimet e Muskut për shkak se një sfidë ligjore kishte mbajtur pezull një pako të mëparshme.
Analistët kanë thënë se ky votim është pozitiv për aksionet e kompanisë, vlera e së cilës varet nga vizioni i Muskut për të bërë automjete vetëvozitëse, zgjerimi i taksive robotë në mbarë Shtetet e Bashkuara dhe shitja e robotëve në formë të njeriut, edhe pse retorika e tij e së djathtës ekstreme e ka dëmtuar brendin e “Tesla”-s këtë vit.
Miratimi i pakos së re të pagesave për Muskun u për edhe pas kundërshtimit nga disa prej investitorëve të rëndësishëm, përfshirë fondin norvegjez të pasurisë sovrane.
Sidoqoftë, bordi i “Tesla”-s kishte thënë se Musku mund të tërhiqej, nëse pakoja e pagesave nuk do të miratohej./Nacionale