Aksidenti fatal në Stamboll: Turqia lëshon fletarrestim ndërkombëtar për djalin e një presidenti
Turqia është duke kërkuar shpjegim nga Somalia dhe ka lëshuar fletarrestim ndërkombëtar për të birin e presidentit të këtij shteti, Hassan Sheikh Mahmoud, pasi ai u largua nga Stambolli pas shkaktimit të një aksidenti fatal në trafik derisa ishte duke shfrytëzuar një veturë diplomatike, sipas një zyrtari turk.
I biri i presidentit, i quajtur Mohamed Hassan Sheikh Mahmoud, ishte duke drejtuar një automjet që është në pronësi të konsullatës somaleze më 30 nëntor, kur ai goditi një korrier me motoçikletë në pjesën qendrore të Stambollit, duke e lënduar seriozisht, kanë raportuar mediat turke, përcjell agjencia “Reuters”.
Ai ishte duke shfrytëzuar një veturë me targa diplomatike në kohën e aksidentit, tha zyrtari turk, i cili foli në kushte anonimiteti, pasi hetimi është ende duke u zhvilluar.
“Dikush që nuk ka status diplomatik, nuk ka të drejtë që t’i përdorë këto automjete. Është kërkuar informacion për këtë [nga Somalia]”- shtoi zyrtari.
Në mungesë të “imunitetit ose përjashtimit diplomatik”, nuk ka dallim që djali i presidentit të Somalisë ishte duke drejtuar një automjet me targa diplomatike, tha zyrtari turk, duke shtuar se këtë rast është duke e trajtuar Ministria e Drejtësisë e Turqisë.
Zyrtarë të Somalisë nuk ishin menjëherë të qasshëm për koment.
Djali i presidentit somalez u largua nga Turqia më 2 dhjetor, pas lirimit të tij nga policia, që e kishte marrë në pyetje, ndërsa drejtuesi 38-vjeçar i motoçikletës, Yunus Emre Gocer, kishte mbetur në spital, tha të premten Zyra e Prokurorit të Stambollit.
Megjithatë, pas vdekjes së të lënduarit në spital më 6 dhjetor, një fletarrestim ndërkombëtar u lëshua për djalin e presidentit të Somalisë, thuhet në njoftimin e Zyrës së Prokurorit.