Aksident i rëndë mes një kamioni e një autobusi në Kanada, të paktën 15 të vdekur
Së paku 15 persona kanë vdekur pas një aksidenti të rëndë në provincën kanadeze Manitoba, ka njoftuar policia e këtij shteti.
Në aksident u përfshinë një kamion dhe një autobus me të cilin po udhëtonin disa persona kryesisht të moshuar, raporton televizioni BBC.
Policia tha se përplasja ndodhi në autostradën trans-kanadeze afër Carberry-t, dy orë udhëtim me veturë larg Winnipeg-ut.
Zyrtarët policorë thanë se ishin duke u përgjigjur për një përplasje shumë serioze me pasoja masive në njerëz dhe se të gjitha burimet, përfshirë njësitin për krime të rënda, janë dërguar në vendin e ngjarjes.
Të paktën dhjetë persona, përfshirë dy drejtuesit e mjeteve, ndodhen në spital dhe besohet se kanë lëndime të konsiderueshme, duke i marrë parasysh shkallën dhe forcën e aksidentit, thanë zyrtarët.
Policia kërkoi nga drejtuesit e automjeteve që ta shmangnin zonën, sepse disa kilometra të autostradës ishin mbyllur afër vendit të aksidentit.
Një dëshmitar i tha televizionit CBC se pa një automjet duke u djegur në një hendek pak pas mesditës sipas zonës kohore lokale.
John Proven-i e përshkroi skenën si tmerruese. “Kurrë nuk kam parë ndonjë aksident aq të madh”- tha ai.