Aksident i çuditshëm në Gjermani: Vetura “fluturon” në kulmin e një hambari
Policia në pjesën veriperëndimore të Gjermanisë tha se disa persona ishin lënduar, kur një veturë doli nga rruga, goditi një djalë 7-vjeçar që po argëtohej në një trampolinë dhe “fluturoi” në pjesën anësore të një hambari, në kulmin e objektit.
Policia tha se vetura fillimisht ishte përplasur me një automjet të parkuar në qytezën Bohmte, kaloi një rrethojë dhe u fut në një oborr, duke e goditur fëmijën, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Në deklaratën e policisë thuhet se fëmija pësoi lëndime serioze. Vozitës i veturës ishte një burrë i paidentifikuar 42-vjeçar, ndërsa bashkëshortja e tij gjithashtu u lëndua seriozisht.
Dy djemtë e tyre, të moshës 11 dhe 12-vjeçare dhe një pasagjer tjetër 13-vjeçar ndodheshin në veturë dhe pësuan lëndime të lehta, njësoj si vozitësi.
Dhjetëra zjarrfikës si dhe disa autoambulanca dhe dy helikopterë shpëtimit ishin në mesin e shërbimeve emergjente të dislokuara në vendin e ngjarjes.
Vetura u desh të largohej me ndihmë e një vinçi. Një hetim është duke u zhvilluar./Nacionale