Ajri i ndotur lidhet me rritjen e rezistencës ndaj antibiotikëve, rrezik për shëndetin
Ndotja e ajrit është duke e ndihmuar rritjen e rezistencës ndaj antibiotikëve, e cila paraqet rrezik të konsiderueshëm ndaj shëndetit të njerëzve në mbarë botën, sipas një studimi global.
Analiza, në të cilën janë përdorur të dhëna nga më shumë se 100 shtete për gati dy dekada, tregon se shtimi i ndotjes së ajrit është i lidhur me rritjen e rezistencës ndaj antibiotikëve në secilin shtet e kontinent, raporton gazeta “The Guardian”.
Në këtë studim gjithashtu tregohet se lidhja mes ndotjes së ajrit dhe rezistencës ndaj antibiotikëve është fuqizuar me kalimin e kohës. Shtimi i ndotjes së ajrit ka qenë në përputhje me rritjen më të madhe të rezistencës ndaj antibiotikëve.
“Analiza jonë paraqet dëshmi të fuqishme se nivelet në rritje të ndotjes së ajrit janë të lidhura me rrezikun e shtuar për rezistencë ndaj antibiotikëve”- thanë shkencëtarët nga Kina dhe Mbretëria e Bashkuar. “Kjo analizë është e para që tregon se si ndotja e ajrit e prek rezistencën ndaj antibiotikëve në aspekt global”- shtuan ata. Rezultatet e studimit janë publikuar në revistën “Lancet Planetary Health”.
Rezistenca ndaj antibiotikëve është njëra nga rreziqet që po rritet më së shpejti ndaj shëndetit global. Ajo mund të prekë njerëz të çfarëdo moshe në çfarëdo shteti dhe tashmë është duke mbytur nga 1,3 milion njerëz në vit, sipas vlerësimeve.
Nxitësit kryesorë ende janë keqpërdorimi dhe përdorimi i tepërt i antibiotikëve, të cilët përdoren për trajtimin e infeksioneve. Megjithatë, studimi lë të kuptohet se problemi është duke u përkeqësuar edhe nga rritja e nivelit të ndotjes së ajrit.
Në studim nuk janë analizuar faktet shkencore se pse këto dy gjëra mund të jenë të lidhura, por dëshmitë sugjerojnë se mikrogrimcat PM2.5 mund të përmbajnë baktere rezistente ndaj antibiotikëve dhe gjene rezistente, të cilat mund të kalojnë nga një mjedis në tjetrin dhe të thithen drejtpërdrejt nga njerëzit, thanë autorët e hulumtimit.
Ndotja e ajrit tashmë është rreziku më i madh mjedisor ndaj shëndetit publik. Shpërfaqja e gjatë në ajër të ndotur është e lidhur me probleme kronike si sëmundjet e zemrës, astma dhe kanceri i mushkërive.
