Agjencia “Reuters” shkruan për sjelljen e trupave rezervë të KFOR-it në Kosovë - NACIONALE

Agjencia “Reuters” shkruan për sjelljen e trupave rezervë të KFOR-it në Kosovë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

NATO-ja ka dërguar për trajnime trupa rezervë në misionin e saj paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë, tha njëri nga komandantët e misionit, përderisa po afrohet një afat për një mosmarrëveshje mes pakicës serbe dhe qeverisë, që mund të nxisë trazira të reja.

Reuters

Komandanti rajonal i KFOR-it për zonën e lindjes, Kolonel Christopher Samulski, u tha gazetarëve se rezervat janë sjellë “si pjesë e planifikimit normal të kontingjentit”. Samulski foli nga Kampi “Bondsteel”, që është njëra nga bazat e KFOR-it.

Oficeri amerikan nuk dha ndonjë shifër konkrete për atë se sa trupa rezervë kanë arritur në Kosovë, por foli për një njësit me madhësi të batalionit. Një batalion zakonisht përbëhet nga 500 deri në 1.000 trupa.

Protestat e serbëve të Kosovës në verë për një kërkesë që t’i përdornin targat e lëshuara nga Kosova e kanë rritur fërkimin mes Kosovës dhe Serbisë, më shumë se dy dekada pasi NATO-ja e bombardoi Serbinë për t’i dhënë fund shtypjes ndaj shumicës shqiptare në Kosovë.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008, dhe serbët në Kosovën veriore e konsiderojnë Beogradin, jo Prishtinën, kryeqytet të tyre. Rreth 3.700 paqeruajtës të NATO-s ende ndodhën në ish-provincën serbe për ta parandaluar dhunën mes shqiptarëve dhe serbëve.

Bllokadat në rrugë gjatë protestave të verës u larguan vetëm kur paqeruajtësit e NATO-s ndërhynë për ta mbikëqyrur procesin dhe Kosova u pajtua që ta shtynte rregullën për targa dhe afati tash përfundon më 31 tetor.

Të martën, nënkomandanti i KFOR-it tha se NATO-ja nuk mund të përjashtojë tensione të reja në veri me afrimin e afatit, duke shtuar se aleanca është e gatshme për të sjellë më shumë trupa në Kosovë, nëse rriten përsëri tensionet në mesin e serbëve pakicë.

Samulski theksoi se trupat rezervë janë sjellë në Kosovë për trajnime.

“Pushkatarët e Parë nga Mbretëria e Bashkuar janë këtu si rezervë strategjike, që është ushtrim normal i hyrjes dhe integrimit të tyre në operacione normale”, tha Samulski, duke iu referuar një njësiti britanik të këmbësorisë.

Përtej kësaj, ai tha se KFOR-i mund të shfrytëzojë rezerva edhe jashtë Kosovës.

“Për më tepër, ka rezerva të tjera që ndodhen jashtë Kosovës, që kanë korniza të ndryshme kohore në të cilat ato pritet të arrijnë këtu, nëse KFOR-i kërkon që ato të jenë në dispozicion”, theksoi Samulski.

“E ato janë në dispozicion, nëse vlerësojmë se janë të nevojshme, duke u mbështetur në situatën e tanishme në terren”, shtoi oficeri amerikan./Nacionale

Lajme të ngjashme