Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë: Kemi miell për Gazën vetëm edhe për gjashtë ditë - NACIONALE

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë: Kemi miell për Gazën vetëm edhe për gjashtë ditë

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Njëra nga ofrueset më të mëdha të ndihmave ushqimore në Gaza, agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA, paralajmëroi të premten se ka miell të mjaftueshëm për të shpërndarë vetëm edhe për gjashtë ditët e ardhshme.

“Ne mund ta zgjasim këtë duke u dhënë njerëzve më pak, por po flasim për ditë, jo për javë” – u tha gazetarëve në Gjenevë Sam Rose nga agjencia UNRWA, duke folur nga pjesa qendrore e Gazës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kjo agjenci tha se situata në Gaza është shumë shqetësuese për shkak të zvogëlimeve masive në shpërndarjen e dërgesave me ndihma.

“Gjashtë nga 25 furrat të cilat Programi Botëror i Ushqimit ishte duke i mbështetur u detyruan të mbylleshin. Ka turma më të mëdha njerëzish në rrugë para furrave” – shtoi Rose.

“Kjo është periudha më e gjatë që nga fillimi i konfliktit në tetor të vitit 2023 që asnjë furnizim, çfarëdo qoftë, nuk ka hyrë në Gaza. Progresi që ne e bëmë si sistem ndihmash gjatë gjashtë javëve të fundit po kthehet mbrapsht” – tha më tej zyrtari i UNRWA-së.

Izraeli në fillim të marsit e bllokoi hyrjen e mallrave në Gaza në një mosmarrëveshje për armëpushimin me të cilin ishin ndalur luftimet në shtatë javët e fundit.

Ky veprim ka shkaktuar rritje të çmimeve të produkteve elementare ushqimore dhe të karburanteve, duke detyruar shumë njerëz që t’i rrallojnë vaktet e ushqimit./Nacionale

Lajme të ngjashme