“Agentstvo”: Rusia mori 196 kilometra katrorë javën e kaluar, avancimi më i shpejtë sivjet
Rusia mori nën kontroll 196,1 kilometra katrorë të territorit ukrainas gjatë periudhës prej 20 deri më 27 tetor, duke e bërë avancimin më të shpejtë të forcave ruse këtë vit, sipas grupit medial rus, “Agentstvo”, që ka analizuar harta ukrainase me burim të hapur.
Forcat ruse në shtator e arritën avancimin më të shpejtë që nga marsi i vitit 2022, sipas të dhënave me burim të hapur, edhe pse Ukraina ka marrë nën kontroll një pjesë të rajonit Kursk të Rusisë, raporton agjencia “Reuters”.
“Ushtria ruse nuk ka pasur avancim të tillë të shpejtë javor që nga të paktën fillimi i këtij viti” – tha në rrjetin “Telegram” grupi “Agentstvo”, që nga Rusia cilësohet “agjent i huaj”.
Grupi medial tha se javën e kaluar, ushtria ruse mori nën kontroll 95 kilometra katrorë afër qytezës Vuhledar dhe 63 kilometra katrorë afër qytezës Pokrovsk. Të dyja ndodhen në rajonin e Donbasit, në lindje të Ukrainës.
“Agentstvo” tha se mbrojta ukrainase në Donbas është dobësuar nga vendimi i Kievit për të dërguar trupa në Kursk të Rusisë, ndërsa Rusia nuk ka transferuar trupa nga Donbasi në Kursk.
Avancimi i forcave ruse, që kanë nën kontroll pak më pak se një të pestën e territorit të Ukrainës, e ka vënë në pah epërsinë e madhe numerike dhe në materiale të Rusisë, përderisa Ukraina po apelon për më shumë armë nga aleatët perëndimorë që i kanë ofruar përkrahje.
Rusia i ka nën kontroll Krimenë, që e ka aneksuar nga Ukraina më 2014, rreth 80 për qind të Donbasit – që përbëhet nga Donetsku dhe Luhansku – dhe mbi 70 për qind të rajoneve Zaporizhia dhe Kherson./Nacionale