Afganistani goditet nga tërmeti i tretë i fuqishëm brenda pak ditëve
Një tërmet tjetër i fuqishëm e goditi pjesën perëndimore të Afganistanit vetëm pak ditë pasi dy tërmete të tjera të forta lanë mbi një mijë të vdekur në atë rajon.
Dridhja e re ishte me fuqi prej 6,3 shkallësh të Rihterit dhe ndodhi rreth orës 5 e 10 minuta të mëngjesit të së mërkurës, 28 kilometra në veri të qytetit Herat, raporton televizioni BBC.
Zyrtarët shëndetësorë thanë se mbi 100 persona u lënduan dhe u dërguan në spital. Ndikimi më i gjerë i tërmetit nuk është ende i qartë, por shumë njerëz ishin në gjumë në zona të hapura, pasi shtëpitë e tyre ishin shkatërruar të shtunën.
Agjencitë e ndihmave kanë thënë se ka mungesë batanijesh, ushqimi e furnizimesh të tjera.
Një dëshmitare në pjesën qendrore të Heratit, ku disa shtëpi ende nuk janë rrënuar, tha se ajo u zgjua duke bërtitur dhe doli me vrap nga shtëpia.
“Isha në gjumin më të thellë, sepse nuk kisha fjetur gjatë netëve të kaluara. Kurrë nuk jam ndier aq afër vdekjes”- tha ajo, duke shtuar se kishte vrapuar zbathur në periferi të qytetit, ku shumë njerëz kanë qenë duke fjetur në tenda nga dita e tërmetit të parë.
Tërmeti i së shtunës në mëngjes e goditi Zindajan-in, distrikt rural rreth 40 kilometra nga Herati.
Afganistani goditet shpesh nga tërmetet, sidomos në Vargmalet Hindu Kush, për shkak se ato shtrihen afër zonës ku bashkohen pllakat tektonike të Euoazisë dhe Indisë.