Afër Romës, në fund të detit gjenden mbetjet e një anije të lashtë romake
Mbetjet e një anije të lashtë romake të mallrave, e vjetër më shumë se dy mijë vjet, janë gjetur në shtratin e detit afër Romës, tha të premten njësiti i arteve i policisë italiane.
Anija ndodhet afër portit Civitavecchia, rreth 80 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit italian, në thellësi prej rreth 160 metrash, thuhet në deklaratën e autoriteteve italiane.
Vlerësohet se anija është mbi 20 metra e gjatë dhe daton nga shekulli I ose II Para Krishtit. Ajo ishte e ngarkuar me qindra enë të lashta romake, shumica të padëmtuara, raporton agjencia "Reuters".
“Zbulimi i jashtëzakonshëm është një shembull i rëndësishëm i mbetjeve të një anije romake që është ballafaquar me rreziqet e detit në përpjekje për të arritur në breg dhe paraqet dëshmi për rrugët e vjetra detare të tregtisë”- thuhet në deklaratën e policisë.
Mbetjet e anijes u lokalizuar dhe u incizuan përmes përdorimit të një roboti të kontrolluar nga largësia, thuhet në njoftim.
Nuk qe menjëherë e qartë nëse do të bëhet ndonjë përpjekje për ta nxjerrë objektin e vjetër ose mallin që ndodhet në të.
Për çdo vit, policia italiane gjen qindra enë të lashta romake, që janë marrë ilegalisht, në shtëpitë e tregtarëve të veprave të artit.
Në qershorin e vitit 2021, autoritetet italiane gjetën qindra objekte arkeologjike të grumbulluara ilegalisht nga një koleksionues belg, që datonin nga shekulli VI Para Krishtit. Vlera e tyre thuhet se ishte 11 milionë euro.