AfD-ja po strehon gjithnjë e më shumë ekstremistë, thotë inteligjenca gjermane - NACIONALE

AfD-ja po strehon gjithnjë e më shumë ekstremistë, thotë inteligjenca gjermane

5 ditë më parë

nga NACIONALE

Partia më e madhe opozitare në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë (AfD), po strehon një numër të rritje të ekstremistëve djathtistë, tha të martën në raportin e saj vjetor agjencia gjermane për inteligjencë të brendshme, duke raportuar edhe për shtim të përgjithshëm të krimeve të motivuara nga ekstremizmi djathtist.

Numri i ekstremistëve brenda AfD-së, e cila doli e dyta në zgjedhjet federale në shkurt, u rrit për 77 për qind vitin e kaluar dhe shkoi në 20 mijë, krahas rritjes së numrit të anëtarëve të partisë dhe lëvizjes së saj drejt të djathtës politike, tha agjencia për inteligjencë të brendshme.

Muajin e kaluar, kjo agjenci e klasifikoi AfD-në si “ekstremiste” në bazë të një raporti 1100-faqësh të ekspertëve, i cili ia mundësoi shtimin e vëzhgimit të partisë, edhe pse AfD-ja e ka sfiduar këtë masë në organet e drejtësisë, raporton agjencia e lajmeve "Reuters".

Në deklaratat e AfD-së shpesh janë përfshirë pozicione ksenofobe dhe anti-islame, ndërsa emigrantët nga shtetet me shumicë myslimane shpesh janë akuzuar për papajtueshmëri kulturore dhe për prirje të fortë drejt sjelljes kriminale, tha të martën agjencia për inteligjencë.

Më tutje, kjo agjenci tha se udhëheqësit e partisë shpesh kanë bërë deklarata që do të mund të konsideroheshin si sulme ndaj kushtetutës gjatë fushatës zgjedhore vitin e kaluar në pjesën lindore të Gjermanisë.

Agjencia e citoi udhëheqësin e AfD-së në Thueringen, Bjoern Hoecke, i cili në një tubim fushate në gusht tha se zgjedhjet mund të “çojnë në shembjen e sistemit partiak kartel” dhe “përfundimisht të sjellin diçka që është demokraci e vërtetë”.

Krimet e motivuara nga ekstremizmi djathtist në Gjermani shënuan rritje për 47,4 për qind, përfshirë gjashtë vrasje në tentativë, nga 4 sa ishin më 2023, dhe 23 raste të zjarrvënies, nga 16 sa ishin në vitin paraprak, tha agjencia e inteligjencës së brendshme./Nacionale

Lajme të ngjashme