AfD-ja e së djathtës ekstreme pritet ta shënojë fitoren e parë në një shtet gjerman
Alternativa për Gjermaninë, parti e së djathtës ekstreme, është parashikuar si fituese e të paktën njërit prej dy shteteve lindore gjermane në zgjedhjet e së dielën, duke ia shtuar trysninë koalicionit federal të kancelarit Olaf Scholz për ekonominë, emigrantët dhe mbështetjen për Ukrainën.
Partia që është themeluar vetëm para 11 vjetëve dhe që ka mbështetje më të madhe në pjesën lindore të Gjermanisë, dikur e qeverisur me komunizëm, nuk pritet të jetë në gjendje që të formojë një qeveri rajonale, edhe nëse fiton në zgjedhje, pasi anketat tregojnë që AfD-ja nuk do ta sigurojë shumicën dhe partitë e tjera refuzojnë që të bashkëpunojnë me të, raporton agjencia “Reuters”.
Megjithatë, kjo do të jetë hera e parë që një parti e së djathtës ekstreme do të ketë më së shumti ulëse në një kuvend rajonal të Gjermanisë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe fuqia e saj do ta ndërlikojë ndërtimin e koalicionit dhe mund t’ia lejojë bllokimin e ndryshimeve kushtetuese dhe emërimin e disa gjykatësve.
AfD-ja po del me 30 për qind përkrahje në Thuringia, gati 10 për qind para konservatorëve, që janë në vend të dytë, ndërsa në garë të ngushtë me ta është në Saksoni – me rreth 30 – 32 për qind. Partia e themeluar rishtazi e së majtës ekstreme, BSË, pritet të dalë e treta.
Rritja e madhe e dy partive që janë kundër establishmentit është shenjë paralajmëruese e shtimit të jostabilitetit në ekonominë më të madhe të Evropës, duke pasqyruar një copëtim të peizazhit politik që gjithashtu mund t’i ndërlikojë përpjekjet për të formuar qeveri kombëtare koherente.
Tema kryesore e AfD-së, emigrantët, arriti në kulm të agjendës pas një sulmi me thikë javën e kaluar në qytetin Solingen, ku një anëtar i dyshimtë i ISIS-it nga Siria akuzohet për vrasjen e tre personave.
“Ne duam që t’i japim fund dështimit të shtetit, humbjes së kontrollit. Kjo mund të arrihet vetëm përmes një ndryshimi të qëndrueshëm në politikën për emigrantët dhe azilin” – tha të mërkurën në një tubim fushate në Dresden bashkëkryetarja e AfD-së, Alice Weidel.
Udhëheqës biznesesh kanë paralajmëruar për rrezikun e së djathtës ekstreme ndaj ekonomisë më të madhe të Evropës, duke thënë se kjo rrymë mund ta bëjë më të vështirë tërheqjen e punëtorëve të kualifikuar dhe investimeve. Politikanët gjermanë thonë se retorika populiste ka nxitur sulme fizike./Nacionale