Aeroplani i Netanyahut i bie rrotull drejt ShBA-së, e shmang shumicën e hapësirës ajrore evropiane
Aeroplani me të cilin kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara, të enjten ndoqi një vijë më të gjatë drejt Nju-Jorkut, ku politikani do të mbajë fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, me qëllim që të shmangej hapësira ajrore e shumicës së shteteve evropiane, me përjashtim të Italisë dhe Greqisë, duke e zgjatur fluturimin për qindra kilometra.
Kjo trajektore, e cila ishte e dukshme në uebfaqen për përcjelljen e fluturimeve, “Flight Tracker”, mund të ketë qenë përpjekje për t’i shmangur problemet që lidhen me urdhërarrestin e lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për Netanyahun nën dyshimet për krime lufte në Gaza, akuzë që mohohet nga Izraeli, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Shumë prej shteteve që janë anëtare të Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Evropë kanë thënë se, me qëllim të respektimit të urdhërarrestit, ato do ta ndalonin Netanyahun, nëse ai do të hynte në territorin e tyre.
Vija e ndryshuar e udhëtimit e zgjati fluturimin për 600 kilometra, raportoi gazeta izraelite “Haaretz”.
מסלול הטיסה של מטוס ראש הממשלה, "כנף ציון", טס לארה"ב באופן חריג ביותר בנתיב הדרומי ביותר האפשרי - עם צמצום מינמלי של מעבר בשמי מדינות אירופה בדרך של נתניהו לעצרת האו"ם - מחשש שיעצר
— איתי בלומנטל 🇮🇱 Itay Blumental (@ItayBlumental) September 25, 2025
עד כה המטוס הישראלי חלף בשטח האווירי של יוון ואיטליה בלבד- וכעת בדרכו לאוקינוס האטלנטי דרך מיצרי… pic.twitter.com/CLr0lNzf5Q
Nuk u dha ndonjë arsye zyrtare për trajektoren e pazakonshme. Para nisjes së fluturimit, Izraeli kishte kërkuar autorizim që aeroplani i Netanyahut të fluturonte nëpër hapësirën ajrore të Francës, sipas një zyrtari diplomatik francez.
Sipas tij, Franca i dha leje aeroplanit që të kalonte nëpër hapësirën e saj ajrore, por një gjë e tillë nuk u shfrytëzua gjatë fluturimit.
“Ata vendosën që të ndiqnin një rrugë tjetër dhe ne nuk e dimë arsyen” – tha ky zyrtar.
Gjatë fluturimit të aeroplanit shtetëror “Krahu i Zionit”, duket se u shmang edhe hapësira ajrore e Spanjës, e cila është zotuar për asistencë në hetimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale./Nacionale