Aeroplani i kryeministrit të Zelandës së Re prishet rrugës për në Japoni
Aeroplani i forcave ajrore të Zelandës së Re, me të cilin po udhëtonte kryeministri i këtij shteti, Christopher Luxon, për në Japoni, u prisht të dielën, duke e detyruar udhëheqësin e Qeverisë që të merrte një fluturim komercial, konfirmoi të hënën zyra e tij.
Luxoni po kalon katër ditë në Japoni, ku pritet të takohet me homologun japonez, Fumio Kishida, dhe ta promovojë biznesnin e Zelandës së Re, raporton agjencia “Reuters”.
Mediat në shtetin e largët raportuan se aeroplani i tipit “Boeing 757” u prish gjatë një ndalese për rimbushje në Papua Guinenë e Re, duke i lënë delegacionin biznesor dhe gazetarët të ngujuar në Port Moresby, ndërsa kryeministri e vazhdoi udhëtimin drejt Japonisë me fluturim komercial.
Dy aeroplanët “Boeing 757” të Forcës së Mbrojtjes të Zelandës së Re janë më shumë se 30 vjet të vjetër dhe vjetërsia e tyre i ka bërë gjithnjë më të pabesueshëm.
Ministrja e Mbrojtjes e Zelandës së Re, Judith Collins, i tha radios “Newstalk ZB” të hënën se problemet e vazhdueshme gjatë fluturimeve janë “të turpshme” dhe se ministria që ajo e drejton po e shqyronte mundësinë që kryeministrin dhe delegacionin e tij ta çonte në vende të tjera përmes fluturimeve komerciale nga tani e tutje.
Ushtria e Zelandës së Re po ballafaqohet me pajisje të vjetruara dhe personel të pamjaftueshëm. Qeveria ka thënë se do të donte të shpenzonte më shumë në mbrojtje, por gjithashtu po mundohet që t’i zvogëlojë shpenzimet, pasi vendi po përballet me kushte të pafavorshme ekonomike.