Aeroplani i Forcës Ajrore përplaset në një shkollë në Bangladesh, 16 të vdekur
Një aeroplan i Forcës Ajrore të Bangladeshit u përplas në një kampus shkollor në Dhaka të hënën, duke lënë të vdekur të paktën 16 njerëz, përfshirë pilotët e tij, si dhe dhjetëra të tjerë të lënduar, thanë zyrtarët dhe mediat lokale.
Sipas ushtrisë dhe një zyrtari të zjarrfikësve, aeroplani i tipit F-7 BGI i Forcës Ajrore u përplas në kampusin e shkollës “Milestone School and College” në lagjen Uttara të Dhaka-s të hënën pasdite, ku nxënësit ishin duke mbajtur teste ose duke marrë pjesë në orë të rregullta mësimore, raporton televizioni CNN.
Saidur Rahman, zyrtar i një institute në Dhaka, i tha një gazete në gjuhën angleze në Bangladesh, “The Daily Star”, se numri i viktimave shkoi në 16 brenda disa orëve.
Kjo gazetë raportoi për më shumë se 100 të lënduar, sipas të dhënave nga disa spitale. Mediat lokale lanë të kuptohej se shumica e të lënduarve ishin nxënës, të cilët u dërguan në qendra të ndryshme shëndetësore, përfshirë një spital ushtarak.
🛩️ 🚨🇧🇩 Bangladesh Air Force jet crashes into Dhaka school
— Depin Bhat (@DepinBhat) July 21, 2025
▪️ F‑7 BGI training aircraft hit Milestone College amid classes
▪️ 1 dead, 50–100+ injured with burn wounds; fireball & panic erupted
▪️ Govt declares national mourning, PM Yunus orders full investigation & support
A… pic.twitter.com/N6KrxQB02b
Prindërit dhe të afërm të tjerë u panë në panik afër vendit të ngjarjes, ndërsa punëtorët e shpëtimit po i transportonin të lënduarit.
Rafiqa Taha, nxënëse e kësaj shkolle që nuk ishte e pranishme në kohën e rrëzimit të aeroplanit, i tha agjencisë “Associated Press” se aty e vijonin mësimin nxënës deri në klasën e 12-të dhe se shkolla ka rreth 2 mijë nxënës.
“Isha e tmerruar, kur i pashë videot në televizor. Zoti im! Është shkolla ime” – tha më tej nxënësja 16-vjeçare./Nacionale