Administrata e Trumpit tërheq 20 miliardë dollarë nga fondet për mbrojtjen e klimës
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, u ka dhënë fund fondeve prej 20 miliardë dollarësh për projekte rreth zvogëlimit të gazrave.
Aktivistët e klimës dhe demokratët thonë se përmes këtij vendimi tërhiqen në mënyrë të paligjshme fonde të ndara për energjinë e pastër dhe transportin për komunitete të pafavorizuara, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Administratori i Agjencisë për Mbrojtje Mjedisore, Lee Zeldin, e kishte bërë publike fushatën e tij për të tërhequr mjete nga Fondi për Zvogëlimin e Gazrave Serrë, të cilat administrata e ish-presidentit Joe Biden i kishte ndarë për të nisur projekte me qëllim të luftimit të ndotjes.
Në një deklaratë të publikuar të martën vonë, Agjencia për Mbrojtje Mjedisore tha se i kishte tërhequr fondet, duke shtuar se programi nuk ishte në vijë me prioritetet e agjencisë dhe duke përmendur shqetësime për mashtrim të mundshëm, humbje e abuzime, edhe pse nuk dha hollësi.
Departamenti i Drejtësisë dhe FBI-ja janë duke e rishikuar programin, thuhet më tej.
Agjencia për Mbrojtje Mjedisore tha se do të punojë për t’i shfrytëzuar fondet “me kontrolle të forcuara” brenda ligjit, por nuk tregoi saktësisht se çfarë do të bëjë me fondet./Nacionale