Administrata e Trumpit publikon mijëra dokumente të reja rreth vrasjes së ish-presidentit Kennedy
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, të martën publikoi mijëra dokumente në lidhje me vrasjen e ish-presidentit John F. Kennedy, për të cilat tha më parë ishin të klasifikuara.
Shumë prej dosjeve të lidhura me vrasjne e Kennedy-t tashmë janë publikuar, përfshirë një grumbull prej 13 mijë dokumentesh të deklasifikuara gjatë administratës së ish-presidentit Joe Biden. Shumë prej dokumenteve të publikuara të martën, megjithatë, më parë ishin të redaktuara, raporton televizioni CNN.
Trumpi tha të hënën se “njerëzit kanë qenë në pritje me dekada” për të parë 80 mijë faqe dokumente në lidhje me vrasjen e ish-presidentit Kennedy. Pak kohë pas ardhjes në pushtet, ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv që udhëzonte për publikimin e mijëra dosjeve të lidhura me vrasjet e ish-presidentit Kennedy, Robert F. Kennedy dhe Martin Luther King Jr.
Dokumentet u publikuan në uebfaqen e Arkivave Kombëtare të martën në mbrëmje. Mund të nevojitet ca kohë derisa hulumtuesit që e kanë studiuar vrasjen e Kennedy-t të mund t’i shfletojnë 1.123 dokumentet e reja të publikuara, të cilat u identifikuan vetëm me numra dhe pa përshkrime.
Megjithatë, nuk ka shenja se dokumentet përmbajnë ndonjë “bombë”, sipas një personi që tashmë ka parë shumë prej tyre.
Nga ajo që ka analizuar ky person, nuk ka ndonjë gjë për ta ndryshuar konkluzionin e tanishëm për vrasjen e Kennedy-t: se një i armatosur i vetëm, Lee Harvey Oswald, ishte përgjegjës për vrasjen./Nacionale