Administrata e Trumpit paditet nga kryeqyteti dhe 25 shtete të ShBA-së - NACIONALE

Administrata e Trumpit paditet nga kryeqyteti dhe 25 shtete të ShBA-së

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Një koalicion i shteteve amerikane të udhëhequra nga demokratët dorëzuan të martën një padi për t’ia parandaluar administratës së presidentit Donald Trump pezullimin e përfitimit të ndihmave ushqimore duke filluar nga 1 nëntori në kohën kur mbyllja e qeverisë po vazhdon.

Kryeprokurorët dhe guvernatorët e 25 shteteve të ShBA-së dhe Distrikti i Kolumbisë (Washington D.C) e dorëzuan padinë në gjykatën federale në Boston, pasi Departamenti i Bujqësisë tha se nuk do të shfrytëzonte 6 miliardë dollar nga fondet emergjente për t’i paguar ndihmat që rrjedhin nga Programi Shtesë i Asistencës Ushqimore (SNAP), raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Qeveria federale i ka të hollat për ta vazhduar financimin e benefiteve nga SNAP-i – ata po zgjedhin që të dëmtojnë miliona familje në mbarë vendin që tashmë po ballafaqohen me vështirësi për t’i përmbushur nevojat” – tha kryeprokurorja e shtetit Massachusetts, Andrea Joy Campbell, në një shkrim të publikuar në rrjete sociale.

Demokratët dhe republikanët në Kongres e kanë fajësuar njëri-tjetrin për mbylljen e qeverisë dhe për rrezikun që benefitet nga programi SNAP, me të cilat marrin asistencë ushqimore më shumë se 41 milionë amerikanë me të ardhura të ulëta, të kolapsojnë muajin e ardhshëm.

Plani i mbylljes i Departamentit të Bujqësisë e kishte përfshirë përdorimin e mundshëm të fondeve emergjente për programin SNAP, por ky dikaster të shtunën e përditësoi uebfaqen e vet duke thënë se asnjë benefit nuk do të lëshohet më 1 nëntor siç është planifikuar, duke deklaruar se “pusi është shterur”.

Në padi argumentohet se pezullimi i benefiteve është arbitrar dhe po bëhet në kundërshtim me ligjet dhe rregulloret me të cilat qeveriset programi.

Më tej, në padi thuhet se Kati i Ushqimit dhe të Ushqyerit i vitit 2008 bën të qartë se fondet emergjente duhet të përdoren kur të jetë e nevojshme për t’u kryer operacionet e programit./Nacionale

Lajme të ngjashme