A i nxori diçka edhe Suedisë, si BE-së: Orbani njofton për një pakt në industrinë e mbrojtjes
Hungaria do të nënshkruajë një marrëveshje në industrinë e mbrojtjes me Suedinë, tha kryeministri hungarez, Viktor Orban, para një takimi me homologun suedez, Ulf Kristersson, në Budapest më vonë të premten, kur Hungaria po përgatitet që më në fund ta ratifikojë anëtarësimin e Suedisë në NATO.
“Ne do t’i mbyllim të gjitha çështjet e mbetura pezull dhe do të nënshkruajmë një marrëveshje në industrinë e mbrojtjes, një [marrëveshje] serioze që e konsideron madhësinë e Hungarisë, dhe gjithashtu do të formulojmë disa vendime ose… qëllime për bashkëpunim ushtarak” – tha Orbani në radion shtetërore. Ai nuk dha hollësi, raporton agjencia “Reuters”.
Dy kryeministrat do të mbajnë një konferencë për gazetarë të premten, para se Kuvendi i Hungarisë të votojë për hyrjen e Suedisë në NATO të hënën.
“Të hënën, kuvendi hungarez do ta vendosë vulën përfundimtare për këtë” – tha kryeministri hungarez në radion shtetërore.
Suedia aplikoi për anëtarësim në NATO para gati dy vjetëve në një ndryshim historic të politikës, të nxitur nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës.
Hungaria është anëtarja e vetme e NATO-s që ende nuk e ka ratifikuar anëtarësimin e Suedisë në aleancë. Partia e Orbanit disa herë e ka shtyrë votimin e kësaj çështjeje, duke i përmendur ankesat për kritikat e Suedisë ndaj Hungarisë rreth standardeve të sundimit të ligjit.
It will be my pleasure to welcome @SwedishPM Ulf Kristersson in Budapest this Friday. We are planning to discuss how to strengthen the defence and security policy cooperation between #Hungary and #Sweden, as well as our plans for the Hungarian Presidency of the Council of the… pic.twitter.com/cnIpoWn850
— Orbán Viktor (@PM_ViktorOrban) February 20, 2024
Kjo vonesë i ka ashpërsuar marrëdhëniet e Hungarisë me Shtetet e Bashkuara dhe ka shkaktuar shqetësim në mesin e aleatëve.
Hungaria ka kontratë qiraje për aeroplanë luftarakë “Gripen”, që prodhohen nga kompania suedeze “SAAB”. Kjo kontraktë është nënshkruar në vitin 2001.
Kryeministri suedez tha më herët këtë javë se vendi i tij dëshiron që ta zhvillojë më tej bashkëpunimin me Hungarinë për aeroplanët “Gripen” dhe se kjo temë do të jetë në agjendë në takimin e së premtes.
Para disa ditëve, kur Hungaria hoqi dorë nga kundërshtimi i një pakoje të ndihmave të BE-së për Ukrainën, Orbani pretendoi se kishte siguruar një fitore diplomatike përmes këtij veprimi, duke nxjerrë garanci se fondet e ngrira të Bashkimit Evropian për vendin e tij nuk do të shkojnë në Ukrainë.