A do ta zbatonte Gjermania urdhërarrestin ndaj Netanyahut, deklarohet kryediplomatja - NACIONALE

A do ta zbatonte Gjermania urdhërarrestin ndaj Netanyahut, deklarohet kryediplomatja

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha të premten se vendi i saj është duke “ekzaminuar” se si të reagojë ndaj vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të lëshuar urdhërarrest kundër kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

“Ne tani natyrisht se jemi duke ekzaminuar se çfarë saktësisht nënkupton kjo për zbatim në Gjermani” – tha ajo në televizionin publik, ARD, raporton mediumi “Barron’s”.

Kryediplomatja gjermane tha se tani për tani është “teorike” nëse autoritetet e Gjermanisë do të bënin lëvizje për t’i arrestuar Netanyahun ose ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, ndaj të cilit gjithashtu është lëshuar urdhërarrest nga GjNP-ja.

Gjermania është “e lidhur” me gjykatën ndërkombëtare si shtet që e njeh atë dhe që e respekton të drejtën ndërkombëtare, tha më tej zonja Baerbock.

Gjykata Ndërkombëtare Penale të enjten lëshoi urdhërarreste pas akuzave për krime lufte e krime kundër njerëzimit gjatë luftës së Izraelit ndaj Hamasit në Gaza, e nxitur nga sulmi i këtij grupi në Izrael më 7 tetor 2023.

Përpos Netanyahut dhe Gallantit, GjNP-ja ka lëshuar urdhërarrest edhe kundër shefit të krahut ushtarak të Hamasit, Mohammed Deif, për të cilin Izraeli ka thënë se e ka vrarë me një sulm ajror korrikun e kaluar. Sidoqoftë, Hamasi nuk e ka konfirmuar vdekjen e tij.

Netanyahu ka reaguar ashpër ndaj lëshimit të urdhërarrestit kundër tij, duke e cilësuar atë si antisemit, ndërsa akuzat e gjykatës si “absurde dhe të rreme”./Nacionale

Lajme të ngjashme