95-vjeçari dëshiron të vdesë në Korenë e Veriut – Jugu nuk po e lejon - NACIONALE

95-vjeçari dëshiron të vdesë në Korenë e Veriut – Jugu nuk po e lejon

10 muaj më parë

nga NACIONALE

I kapur gjatë Luftës Koreane dhe i burgosur me dekada për shkak të refuzimit që të heqë dorë nga bindjen e tij politike, 95-vjeçari Ahn Hak-sop tani ka një dëshirë të vetme para se të vdesë: të kthehet në Korenë e Veriut dhe të varroset afër shokëve të luftës.

Ahn e kaloi shumicën e jetës duke i bërë rezistencë atij që e quan “pushtim” amerikan të Koresë së Jugut – fillimisht si ushtar në ushtrinë koreanoveriore dhe më vonë si disident në shtetin që e kapi atë, raporton televizioni CNN.

Refuzimi i tij për të hequr dorë nga mbështetja për Korenë e Veriut e la të mbyllur për më shumë se katër dekada prapa grilave në Jug.

Tani i dobët fizikisht e i mbetur në karrocë, ai i thotë televizionit amerikan se ka ëndje që të shkojë në Korenë e Veriut për herë të fundit dhe eshtrat t’i pushojnë në shtetin që e ka përcaktuar jetën e tij.

Të mërkurën, ai iu afrua ngadalë një ure që çon në Zonën e Demilitarizuar, duke kërkuar leje që ta kalonte zonën – njëri nga kufijtë më të militarizuar ushtarakë në botë – dhe të hynte në Korenë e Veriut.

Disa orë më vonë, në mesin e një tollovie mes personelit të sigurisë dhe protestuesve që kërkonin nga zyrtarët koreanojugorë që ta lejonin të moshuarin ta kalonte kufirin, atij iu mohua qasja në rrugën tokësore drejt Koresë së Veriut dhe u kthye në shtetin ku po mbahet.

“Më mungon Veriu, kjo është e papërballueshme. Dua të varrosem në tokën e lirë” – tha ai, duke mbajtur në dorë një flamur të Koresë së Veriut.

Qeveria e Koresë së Jugut ua ka ndaluar individëve kontaktet e paautorizuara me Korenë e Veriut dhe atyre u kufizohet hyrja në Zonën e Demilitarizuar. Lufta Koreane e viteve 1950 – 53 kishte përfunduar me armëpushim, por jo me traktat të paqes, që do të thotë se dy shtetet janë ende teknikisht në luftë.

Nëse të moshuarit Ahn do t’i lejohej kthimi, Koreja e Veriut do të mund ta paraqiste riatdhesimin e tij si fitore simbolike – dikur i burgosuri i luftës po kthehej nga një shtet që për një kohë të gjatë e kishte cilësuar si armikun kryesor.

Megjithatë, për 95-vjeçarin, çështja është shumë më personale – dhe ekzistenciale. I dobësuar nga sëmundja, i dërguar në spital shumë herë këtë vit, ai thotë se dëshirë të vetme e ka varrosjen në tokën e Koresë së Veriut ose, siç e quan ai, “atdheu i ideologjisë sime, Republika Popullore Demokratike e Koresë”.

Ahn është njëri nga gjashtë të burgosurit afatgjatë të mbetur në Korenë e Jugut, të cilët rishtazi kanë kërkuar që të kthehen në Veri.

Qeveria në Seul është duke shqyrtuar “opsione të ndryshme nga këndvështrimi humanitar”, tha Ministria e Unifikimit, duke theksuar se për çfarëdo vendimi do të nevojitej bashkëpunimi me Penjanin.

Burgosja e 95-vjeçarit është në mesin e më të gjatave për një të burgosur lufte nga Koreja e Veriut që mbahet në Jug. Ai i përshkruan vitet e tij si të pamëshirshme, jo vetëm për vështirësitë fizike, por për presionin psikologjik që të heqë dorë nga bindjet e tij.

“Së pari, ata fillimisht u munduan që të më konvertonin përmes bisedës. Kur kjo nuk funksionoi, ata filluan të më torturonin” – tha i moshuari.

Ai pretendon se është ballafaquar me ndëshkime brutale, përfshirë rrahjet dhe vendosjen në ujë shumë të ftohtë.

Pavarësisht se ndodhet me dekada në Korenë e Jugut, ai kurrë nuk ka hequr dorë nga besimi se ky shtet mbetet koloni nën ndikimin amerikan.

“Ose i nxjerr amerikanët nga ky vend, ose vdes” – tha ai./Nacionale

Lajme të ngjashme