90% e njerëzve në provincën e madhe kineze të infektuar me Covid
Gati 90 për qind e provincës së tretë më të populluar në Kinë janë infektuar tashmë me Covid-19, ka thënë një zyrtar i lartë, derisa vendi po lufton me rritjen e paprecedentë me raste.
Raportim i The Guardian, përkthim i Nacionales.
Kan Quancheng, drejtor i komisionit të shëndetësisë për provincën e Henanit qendror, tha në një konferencë për shtyp se “deri më 6 janar 2023, shkalla e infektimeve me Covid ishte 89%”.
Me një popullësi prej 99.4 milionë banorësh, shifrat thonë se 88.5 milionë njerëz në Henan mund të jenë infektuar deri tash.
Vizitat nëpër klinika kishin arritur kulmin më 19 dhjetor, tha Kani.
Hapja e kufijve të Kinës të dielen ishte një prej hapave të fundit në çmontimin e regjimit të Kinës për zero të infektuar me Covid, që nisi muajin e kaluar pas protestave historike që kanë çuar në një valë të madhe infektimesh.
Rastet e Covidit pritet të rriten edhe më shumë derisa vendi feston vitin e ri hënor këtë muaj, me miliona njerëz që pritet të udhëtojnë nga qytetet e mëdha nëpër fshatra për të takuar të afërmit.
Zyrtarisht, Kina i ka raportuar vetëm 5272 vdekje të lidhura me Covidin deri më 8 janar, një prej shkallëve më të ulëta të vdekjeve në botë.
Por Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) tha që Kina po raporton shifra më të ulëta ndërsa ekspertët ndërkombëtarë të shëndetësisë vlerësuan që më shumë se një milion njerëz mund të vdisnin nga sëmundja këtë vit.
Zyrtarët e lartë të shëndetësisë kineze dhe mediat shtetërore vazhdimisht kanë thënë se infeksionet me Covid po rriten në mbarë vendin dhe e kanë ulur rrezikun që vjen nga kjo sëmundje.
“Jeta po vazhdon përsëri,” – shkruhej në një editorial të gazetës së Partisë Komuniste të dielen ku lavdëroheshin politikat e qeverisë për virusin.
“Sot, virusi është i dobët, ne jemi të fortë.” – shkruhej më tej.