82 palestinezë u vranë në Gaza, përfshirë 38 që po prisnin për ndihma, thonë autoritetet
Nga sulmet ajrore dhe të shtënat me armë u vranë 82 palestinezë në Gaza gjatë natës së kaluar, përfshirë 38 që po mundoheshin të merrnin ndihma shumë të nevojshme humanitare, thanë të enjten spitalet dhe Ministria e Shëndetësisë.
Ushtria izraelite nuk i komentoi menjëherë sulmet e së mërkurës mbrëma dhe të enjtes në mëngjes, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Pesë njerëz u vranë përreth zonave që lidhen me Fondacionin Humanitar të Gazës, i themeluar rishtazi, organizatë sekrete amerikane e përkrahur nga Izraeli për ta ushqyer popullsinë e Gazës, ndërsa 33 të tjerë u vranë përderisa po i prisnin kamionët me ndihma në zona të tjera të Rripit të Gazës.
Dhjetëra njerëz u vranë nga sulmet ajrore të mërkurën natën dhe të enjten në mëngjes, përfshirë 15 të vrarë nga sulmet që goditën tenda në zonën Muwasi, ku po strehohen shumë palestinezë të zhvendosur, dhe nga një sulm ndaj një shkolle në Qytetin Gaza, ku po strehohen gjithashtu persona të zhvendosur.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se numri i përgjithshëm i palestinezëve të vrarë që nga fillimi i luftës ka shkuar në mbi 57.000, përfshirë 223 persona të zhdukur që janë shpallur të vdekur. Kjo ministri nuk e bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve në shifrat e të vdekurve, por thotë se mbi gjysma e tyre janë gra e fëmijë.